Pas protestave dhe kundërshtimeve të banorëve të Fushë-Arrëzit ndaj projektit të Partisë Socialiste për shkrirjen e bashkisë dhe bashkimin e saj me Pukën, ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaci, zbriti në terren për të “diskutuar” me komunitetin.
Takimi, nëse i referohemi postimit të ministrit, rezultoi një sukses i madh. Karakaci e cilësoi atë si “të frytshëm”, duke thënë se banorët patën mundësinë të shprehnin “çdo mendim, dyshim apo sugjerim konkret” për reformën.
Ironia është se reforma për të cilën banorët po shprehin kundërshtimin e tyre duket se është vendosur pikërisht për t’u diskutuar pasi ka shkaktuar reagime. Banorëve u kërkohet të japin mendimin për një projekt që parashikon zhdukjen e bashkisë së tyre si njësi më vete.
Në takimin me ministrin u shfaq edhe kryebashkiaku demokrat Hile Curri, i cili e ka kundërshtuar publikisht këtë projekt. Një pamje jo pak domethënëse: ministri socialist që mbron reformën përballë një komuniteti që proteston kundër saj, ndërsa në krah ka kryebashkiakun demokrat që është pozicionuar kundër shkrirjes së bashkisë.
Karakaci premtoi zhvillim ekonomik, më shumë investime, infrastrukturë më të mirë dhe shërbime publike më cilësore. Pra, sipas versionit zyrtar, bashkia mund të zhduket në hartë, por perspektivat për banorët duket se do të jenë më të ndritshme se kurrë.
Në fund, ministri foli për “bashkëpunim dhe një vizion të përbashkët”, ndërsa pyetja që mbetet për banorët e Fushë-Arrëzit është më e thjeshtë: a është ky një dialog real për reformën, apo thjesht një përpjekje për t’i bindur ata të pranojnë një vendim që tashmë është marrë?
Sepse kur një komunitet proteston kundër shkrirjes së bashkisë së tij, një “takim i frytshëm” nuk matet me sa bukur shkruhet postimi në Facebook, por me atë nëse zëri i banorëve do të ndryshojë realisht fatin e Fushë-Arrëzit.






