Ballina Aktualitet Bilanci i Përmbarimit në 7 muaj: Mbi 5 mijë vendime të zbatuara...

Bilanci i Përmbarimit në 7 muaj: Mbi 5 mijë vendime të zbatuara dhe 26.6% më shumë të ardhura në buxhet, Gogu: Drejtësia merr vlerë kur zbatohet

“Drejtësia nuk përfundon te vendimi. Ajo merr vlerë kur ky vendim zbatohet.” Kjo është fjalia me të cilën ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, shoqëroi publikimin e statistikave 7-mujore të Shërbimit Përmbarimor Gjyqësor Shtetëror ditwn e sotme, që tregojnë zbatimin e mbi 5 mijë vendimeve gjyqësore, rritje të të ardhurave në buxhet me 26.6% dhe zgjerimin e shërbimeve online për qytetarët.

Sipas të dhënave të publikuara, gjatë periudhës janar-korrik 2026 janë regjistruar 57.336 dosje përmbarimore. Nga këto, 6.444 çështje kanë marrë zgjidhje ligjore, ndërsa 5.186 janë ekzekutuar tërësisht. Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar edhe 932 kërkesa të reja për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.

Një pjesë e konsiderueshme e punës së Shërbimit Përmbarimor lidhet edhe me çështjet familjare. Statistikat tregojnë se janë trajtuar 8.297 raste për pension ushqimor, 1.351 raste për takimin me fëmijën dhe 55 raste për marrjen e fëmijës në kujdestari.

Paralelisht, një pjesë e shërbimeve po ofrohen tashmë online. Vetëm gjatë muajit korrik, përmes e-Albania janë lëshuar 1.762 vërtetime për detyrim përmbarimor dhe 274 vërtetime për pension ushqimor, duke shmangur procedurat fizike për qytetarët.

Bilanci tregon edhe një rritje të të ardhurave të arkëtuara në buxhetin e shtetit. Për shtatë muajt e parë të vitit 2026 janë derdhur 83.546.113 lekë, kundrejt 66.006.421 lekëve në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ose 26.6% më shumë.

Në postimin e tij, Gogu shkruan se përmbarimi ka arritur të rrisë të ardhurat për buxhetin e shtetit, ndërsa njëkohësisht ka lehtësuar marrjen e shërbimeve nga qytetarët përmes vërtetimeve online në e-Albania.

“Po sikur një institucion të rriste të ardhurat për buxhetin e shtetit dhe, njëkohësisht, t’ia thjeshtonte qytetarit marrjen e shërbimeve? 26.6% më shumë të ardhura, krahasuar me një vit më parë. Më pak hapa e më pak lodhje për qytetarin, falë vërtetimeve online në e-Albania. Sepse drejtësia nuk përfundon te vendimi. Ajo merr vlerë kur ky vendim zbatohet”, shkruan ministri i Drejtësisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks