Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar qëndrimet e opozitës për Reformën Zgjedhore, duke kërkuar lista 100% të hapura, barazi mes pozitës dhe opozitës në vendimmarrjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe votim të detyrueshëm për qytetarët.
Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së, Berisha u shpreh se listat e hapura janë një mekanizëm demokratik dhe një mundësi për bashkimin e faktorëve opozitarë kundër qeverisë së Edi Ramës.
Berisha: Lista e hapur. Do dëgjoni ju në darkë se si do t’i përgjigjet mafia e votës së lirë. Se si do t’i mohojë këto. Ne jemi për listë të hapur të partive dhe asnjë votë partitë e tjera të mos marrin nga asnjë parti. E bëjmë këtë sepse është demokratike, por edhe sepse ne jemi për bashkimin e të gjithë faktorëve opozitarë kundër të keqes më të madhe që e ka emrin Edi Rama.
Ne jemi për vendosjen e barazisë së plotë në vendimmarrje në KQZ, pozitë-opozitë. KQZ aktuale është e damkosur në raportet aktuale, ndaj dhe ne të bashkohemi dhe të krijojmë një institucion zgjedhor me të drejta të barabarta.






