Ish-deputetja dhe ish-nënkryetarja e Bashkisë Shkodër, Emilia Koliqi, ka reaguar pas deklaratave të kreut të Emergjencave Civile, Haki Çako, lidhur me mungesën e dokumentacionit për dëmshpërblimin e banorëve të prekur nga përmbytjet në Shkodër.
Përmes një statusi publik, Koliqi kundërshton pretendimin se ish-kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, nuk ka përgatitur dosje për përmbytjet, duke theksuar se dokumentacioni për dëmet e shkaktuara në vitet 2018 dhe 2021 i është dorëzuar zyrtarisht Haki Çakos më 31 janar 2023.
Koliqi sqaron se dokumentet janë vënë në dispozicion të Çakos përmes sekretarisë së Komisionit të Ekonomisë dhe Financave në Kuvendin e Shqipërisë, ndërsa tashmë po i ripublikon për të sjellë transparencë dhe për të dëshmuar, sipas saj, të vërtetën mbi këtë çështje.
Në reagimin e saj, ish-deputetja e Shkodrës thekson se ka pasur një përgjegjësi të dyfishtë për këtë çështje, si përfaqësuese e qytetarëve në Kuvend, por edhe si ish-zëvendëskryetare e Bashkisë Shkodër.
Statusi i plote:
“Rrena i ka kambët e shkurtra”, thona në Shkodër, sidomos kur ajo përsëritet, brenda nji kohe të shkurtër.
Haki Çako i Emergjencave Civile, duke folur për projekbuxhetin e vitit 2027 në komision parlamentar, paska thënë se “Voltana Ademi nuk ka përgatitur asnjë dosje për përmbytjet në Bashkinë Shkodër, si t’’i kompensojmë?”.
Të njëjtën gjë ka përsëritur disa vite më parë, kur unë ishte deputete e Shkodrës në Kuvend dhe përmes sekretarisë së Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, me datën 31 janar 2023, i kam vënë në dispozicion z. Çako të gjithë dokumentacionin, për përmbytjet e vitit 2018 dhe 2021, të cilin për transparencë, por edhe në emër të së vertetës, po e ripublikoj.
Përveç se deputete e Shkodrës, kam qenë edhe zëvendëskryetare e bashkisë Shkodër dhe detyrimi im është i dyfishtë për të treguar të vertetën, bazuar me dokumente, të cilët çdo i interesuar, mund ti gjejë edhe sot në protokollin e Bashkisë Shkodër.
Për çeshtje me ndjeshmëri të lartë publike, nuk mund dhe nuk duhet të bëhet politikë partiake.
Banorët e përmbytur në bashkinë e Shkodrës, duhet të marrin çdo demshpërblim, i cili është verifikuar edhe vlerësuar nga specialistët në terren dhe që më pas, i është dërguar të gjitha instancave shtetërore, siç provohet në dokumentet që mund ti shihni vetë.






