Ballina Aktualitet Matura, sesioni i dytë nis më 24 gusht / Provimet zgjasin deri...

Matura, sesioni i dytë nis më 24 gusht / Provimet zgjasin deri më 3 shtator, rreth 1,300 ngelës në fazën e pare

Sesioni i dytë i Maturës Shtetërore dhe Maturës Shtetërore Profesionale 2026 do të nisë më 24 gusht. Ministria e Arsimit dhe Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit kanë përcaktuar datat, kategoritë e kandidatëve që mund të marrin pjesë. Sipas kalendarit, më 24 gusht do të zhvillohet provimi i Gjuhës së Huaj, më 27 gusht ai i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, ndërsa Matematika do të jepet më 31 gusht. Sesioni do të mbyllet më 3 shtator me provimin e lëndëve me zgjedhje, ndërsa për maturantët e arsimit profesional në këtë datë do të zhvillohet provimi i teorisë profesionale të integruar. Të gjitha provimet do të nisin në orën 10:00 dhe do të zgjasin 2 orë e 30 minuta. Testet do të hartohen dhe vlerësohen nga Qendra e Shërbimeve Arsimore, ndërsa provimet do të zhvillohen në qendra të përqendruara. Në sesionin e dytë marrin pjesë, mes të tjerëve, maturantët që kanë rezultuar mbetës në një ose më shumë provime të sesionit të parë. Sipas të dhënave, rreth 1,300 maturantë kanë marrë notën 4 në të paktën një prej provimeve të Maturës Shtetërore 2026. Numri më i lartë i mbetësve është regjistruar në Matematikë, ku 645 kandidatë kanë marrë notën 4, ose rreth 2.6% e pjesëmarrësve. Në Gjuhën e Huaj rezultuan 367 mbetës, në Gjuhë Shqipe dhe Letërsi 325, ndërsa në provimin me zgjedhje 247 kandidatë. Megjithatë, numri i kandidatëve që mund të marrin pjesë në sesionin e dytë mund të jetë më i lartë se numri i mbetësve të sesionit të parë. Udhëzimi parashikon që në provime të futen edhe maturantët që kanë qenë mbetës në një ose dy lëndë gjatë vitit shkollor 2025–2026 dhe i kanë shlyer ato deri më 7 gusht, si dhe kandidatë të viteve të mëparshme që kanë ende detyrime të Maturës. Të drejtë për të marrë pjesë kanë gjithashtu kandidatët që kanë kryer njohjen dhe njësimin e diplomës së arsimit të mesëm dhe kanë ende provime të Maturës për të shlyer.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks