Pesë destinacione turistike në vend, nga Thethi në Llixhat e Bënjës, janë përfshirë në një projekt investimesh në infrastrukturën e trajtimit të ujërave të ndotura, për të përballuar rritjen e flukseve turistike dhe për të reduktuar shkarkimet e pakontrolluara në mjedis.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) hapi të premten tenderin me fond limit 456 milionë lekë, ose rreth 5 milionë euro, për ndërtimin dhe përmirësimin e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura, rrjeteve të kanalizimeve dhe furnizimit me ujë.
Ndërhyrjet shtrihen konkretisht në Theth, Divjakë, parkun Eco Dumrea në Belsh, Llixhat e Bënjës në Përmet dhe Apoloni në Fier.
Sipas raporteve teknike që shoqërojnë dokumentet e tenderit, investimet synojnë mbrojtjen e burimeve ujore sipërfaqësore dhe nëntokësore, reduktimin e shkarkimeve të pakontrolluara dhe zgjerimin e kapaciteteve të infrastrukturës ekzistuese, duke marrë në konsideratë ngarkesën sezonale turistike dhe ndjeshmërinë mjedisore të zonave.
Thethi
Në Theth, ku popullsia e përhershme vlerësohet në rreth 500 banorë, fluksi turistik gjatë verës arrin në rreth 1,000 vizitorë në ditë, veçanërisht gjatë fundjavave. Me shtimin e strukturave akomoduese dhe restoranteve, numri i vizitorëve parashikohet të arrijë deri në 2,000 në ditë gjatë pikut të sezonit turistik.
Fshati nuk disponon aktualisht një sistem të centralizuar të trajtimit të ujërave të ndotura. Menaxhimi i tyre realizohet kryesisht nëpërmjet gropave septike të shpërndara dhe relativisht të amortizuara.
“Rritja e aktivitetit turistik dhe e strukturave akomoduese rrit prurjet e ujërave të përdorura dhe kërkon një zgjidhje të centralizuar, të kontrolluar dhe të përshtatur me ndjeshmërinë mjedisore të zonës”, thuhet në raportin teknik për Thethin.
Projekti parashikon ndërtimin e një impianti me kapacitet për 2,000 banorë ekuivalentë, që do të mund të trajtojë 400 metra kub ujëra të ndotura në ditë. Impianti do të integrohet me rrjetin e kanalizimeve të projektuar në kuadër të rigjenerimit urban të fshatit.
Divjaka
Në Divjakë, kapaciteti i impiantit ekzistues të trajtimit të ujërave të ndotura parashikohet të rritet më shumë se trefish, nga 3,500 në 12,000 banorë ekuivalentë, duke arritur një kapacitet trajtimi prej 2,400 metrash kub në ditë.
Impianti, që ndodhet rreth dy kilometra larg lagunës së Karavastasë, paraqet kufizime në përballimin e ngarkesës sezonale, mangësi në trajtimin biologjik dhe mungesë të dezinfektimit përpara shkarkimit.
Investimi përfshin edhe ndërtimin e kolektorit kryesor të kanalizimeve, që do t’u shërbejë në perspektivë tri lagjeve të qytetit, me rreth 700–800 objekte banimi dhe biznesi dhe një popullsi prej 2,500–3,000 banorësh.
Aktualisht, një pjesë e këtyre objekteve përdorin gropa septike, ndërsa të tjerat i shkarkojnë ujërat e ndotura në rrjetin e ujërave të shiut, në kundërshtim me normat mjedisore.
Bënja
Në Llixhat e Bënjës, në Përmet, parashikohet ndërtimi i një impianti për trajtimin e ujërave të ndotura pranë kompleksit të burimeve termale dhe Urës së Katiut, në hyrje të kanionit të Lëngaricës.
Impianti do të pajiset me dy reaktorë biologjikë, sisteme filtrimi dhe dezinfektimi, si dhe pajisje për eliminimin e aromave të pakëndshme. Ujërat e trajtuara do të shkarkohen në lumin Lëngaricë.
Duke qenë se investimi shtrihet brenda territorit të Parkut Kombëtar “Bredhi i Hotovës–Dangëlli”, raporti i vlerësimit të ndikimit në mjedis i kushton rëndësi të veçantë cilësisë së ujërave që do të shkarkohen në lumë, sidomos gjatë periudhave me prurje të ulëta.
“Grumbullimi i ujërave të ndotura, pa trajtim të përshtatshëm dhe pa kontrollin e shkarkimeve, nuk përbën në vetvete provë të shmangies së ndotjes”, theksohet në raport.
Belshi
Në parkun Eco Dumrea në Belsh, dokumentacioni teknik përshkruan një njësi trajtimi me kapacitet për 150 banorë ekuivalentë.
Sistemi përfshin trajtimin biologjik, filtrimin me rërë dhe karbon, dezinfektimin me rreze ultraviolet dhe klor, si dhe monitorimin në distancë të funksionimit të pajisjeve.
Apolonia
Ndryshe nga katër destinacionet e tjera, ndërhyrja në Parkun Arkeologjik të Apolonisë përqendrohet te sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm me ujë të qendrës së re të informacionit turistik.
Aktualisht, furnizimi me ujë i këtij objekti realizohet nëpërmjet autoboteve, për shkak të mungesës së rrjetit të ujësjellësit në afërsi.
Projekti parashikon shpimin e një pusi me thellësi 120 metra dhe ndërtimin e linjës së furnizimit për pesë depozitat ekzistuese, me kapacitet të përgjithshëm prej 25,000 litrash. Sipas të dhënave paraprake të stafit të Parkut Arkeologjik, sistemi duhet të përballojë nevojat e mesatarisht 500 vizitorëve në ditë, krahas atyre të personelit./ monitor






