Kryetarja e Këshillit të Qarkut Shkodër Marina Duhani ka zhvilluar një vizitë pune në Pukë, ku është takuar me kryetarin e bashkisë Rrok Dodaj dhe nënprefekten Amila Gjyrezi. Diskutimet janë përqendruar te investimet e realizuara në këtë bashki me mbështetjen e Këshillit të Qarkut Shkodër, si dhe te identifikimi i projekteve të reja që synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve për komunitetin. Gjatë takimit u evidentuan disa prej ndërhyrjeve të përfunduara dhe atyre në proces, si asfaltimi i rrugës së Pletit, në Njësinë Administrative Luf-Qerret, sistemimi dhe zgjerimi i varrezave publike të qytetit, si dhe rikonstruksioni i sallës së leksioneve në Pallatin e Kulturës “Ndue Shyti”. Në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional, vëmendje iu kushtua edhe projekteve të ardhshme, ku një ndër ndërhyrjet e parashikuara është sistemimi dhe asfaltimi i rrugës së lagjes “Zezaj”. Pas takimit, kryetarja e Këshillit të Qarkut Shkodër Marina Duhani zhvilloi një inspektim në Pallatin e Kulturës “Ndue Shyti”, për të parë nga afër ecurinë e punimeve për rikonstruksionin e sallës së leksioneve, të cilat ndodhen në fazën përfundimtare. Edhe ky një investim i këshillit të qarkut. Vizita u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm mes institucioneve vendore, me synim koordinimin e investimeve, përshpejtimin e projekteve dhe adresimin e nevojave konkrete të komunitetit të qarkut Shkodër, në prag të miratimit të buxhetit të vitit 2027.






