Një ditë pas arrestimi, detaje të reja kanë dalë në dritë mbi aktivitetin e dy të arrestuarve, Vincesk Piroli dhe Kristian Ymeri. Policia dyshon se mund të kenë qenë të përfshirë në pesë ngjarje të rënda kriminale, të dyshuara si atentate me pagesë, të cilat janë aktualisht nën hetim. Një prej këtyre episodeve dyshohet të ketë ndodhur në Shkodër, ndërsa një tjetër lidhet me një plan të mundshëm për eliminimin e Erjon Tucit në Lezhë. Sipas hetimeve, atentati ndaj Tucit dyshohet se ishte porositur për motive hakmarrjeje, si kundërpërgjigje ndaj vrasjes së një shtetasi shqiptar brenda një burgu në Greqi. Në kuadër të hetimeve për këto ngjarje, autoritetet kanë siguruar edhe një dëshmi, e cila konsiderohet me rëndësi për dokumentimin dhe zbardhjen e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal.






