Një 25-vjeçar është arrestuar në flagrancë në qytetin e Shkodrës, pasi dyshohet se merrej me shitjen e lëndëve narkotike në doza të vogla.
Arrestimi u krye në kuadër të operacionit policor të koduar “Shkolla të Pastra”, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër.
Në pranga ka rënë shtetasi Ervis Hysenllari, 25 vjeç, banues në Elbasan. Sipas Policisë, i riu u kap në afërsi të perimetrit të sigurisë dhe ambienteve të ndryshme në qytetin e Shkodrës, ku dyshohet se qëndronte me qëllim shitjen e lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit fizik, efektivët i gjetën dhjetëra doza kokaine dhe kanabisi (Cannabis Sativa), të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme. Operacioni “Shkolla të Pastra” vijon me qëllim goditjen e rasteve të shitjes së lëndëve narkotike, veçanërisht në zonat pranë institucioneve arsimore.






