Kryetari i Bashkisë së Fushë-Arrëzit, Hil Curri, ka kundërshtuar ashpër reformën e re territoriale, duke e cilësuar atë si një reformë “klienteliste” dhe duke paralajmëruar reagime nëse Kuvendi voton pro ndryshimeve. Gjatë protestës para Kuvendit, Curri tha se reforma prek rreth 15 mijë banorë dhe se bashkitë që preken prej saj kanë histori dhe identitetin e tyre.
“Reformë klientelistëve. Sot jam me kolegët e mi, 15 mijë banorë që preken nga reforma”, u shpreh ai.
Më tej, kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit akuzoi mazhorancën se reforma nuk është hartuar në interes të qytetarëve, por sipas tij synon të shkatërrojë bashki me histori.
“Një nga ato 15 kryetarët që preket nga reforma klienteliste e grupit që ka bërë hartën territoriale që s’ka lidhje me hartën e ekspertëve të BE. 300 mijë banorë preken nga ajo reformë. Si shpëtoi Konispoli, Delvina? Kjo është një reformë që Arbjan Maznikun do ta ndjekë historia! Çuni më i keq që ka njohur Tirana, do të marrë në qafë 300 mijë shqiptarë. Harta nuk i përshtatet komunitetit europian, nuk i afron shërbimet, shkatërron bashkitë që kanë histori, identitet, krahinë. Këta s’kanë shanse të na ndalojnë në rrugën e drejtë e të shenjtë që kemi. Jemi këtu derisa ata të parlamentit të mos votojnë. Ne do të rezistojmë!”. Jemi sot këtu t’i kërkojmë mbështetje qytetarëve dhe mediave, nuk është hartë për qytetarët, është për të shkatërruar bashki me histori. Dhe sot vijmë me qëllime paqësore, por përballemi me policinë. Do të jemi këtu që Kuvendi të mos votojë pro. Do t’ju ndodhë si në Ukrainë, Kosovë dhe Francë”, deklaroi Curri. Në vijim, ai iu drejtua edhe drejtuesve të Policisë së Shtetit, duke pretenduar se protestuesit po provokohen nga forcat e rendit.
“Thirrje drejtorit të policisë: Po na provokojnë”, tha kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit.
Reforma territoriale është një nga çështjet që ka shkaktuar kundërshtime të forta nga përfaqësues të disa bashkive, të cilët kundërshtojnë ndryshimet e propozuara dhe kërkojnë që Kuvendi të mos i miratojë ato.






