Në Manastir të Maqedonisë së Veriut, në Shtëpinë-Muze të Alfabetit Shqip, ku u hodhën themelet e alfabetit kombëtar, kryeministri Edi Rama propozoi krijimin e një biblioteke të përbashkët digjitale mes Shqipërisë dhe Kosovës, për të ndihmuar fëmijët në diasporë të mësojnë dhe të ruajnë gjuhën shqipe.
Në fjalën e tij me rastin e 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit, Rama tha se institucionet shqiptare duhet të bëjnë më shumë për përhapjen e gjuhës te brezat e rinj, duke përfshirë edhe fëmijët që jetojnë jashtë Shqipërisë dhe Kosovës.
Kryeministri theksoi se shumë fëmijë në diasporë e kuptojnë shqipen, por kanë vështirësi ta komunikojnë, ndaj propozoi një platformë digjitale me libra që mund të lexohen dhe dëgjohen, si dhe mësues që do t’i ndihmonin në përvetësimin e gjuhës.
Kryeministri propozoi gjithashtu që 22 Nëntori të shërbejë si një ditë llogaridhënieje për gjuhën shqipe.
Rama: Ka shumë fëmijë në diasporë që e kuptojnë çfarë u thotë gjyshja, por për t’i treguar se çfarë bëri në shkollë kërkojnë ndihmën e mamasë. Prandaj unë them se qeveria e Shqipërisë, Kosovës dhe të gjitha strukturat dhe institucionet që shqiptarët kanë sot në rajon duhet të shohin më tej për shqipen. Do të ishte e pajustifikueshme përballë historisë që Tirana dhe Prishtina, sot në këtë hapësirë ku shqiptari gëzon të drejta që nuk i ka pasur më parë, të mos ndërmerrnin së bashku ndërtimin e një biblioteke të madhe digjitale, të hapur për çdo fëmijë dhe mësues shqiptar në mbarë botën. Do ishte e mirë që kjo nismë të merrte jetë në një tryezë ku një mësuese nga Tirana, Prishtina, një tjetër nga Ulqini dhe dy të tjera që japin shqip të shtunave në Athinë apo Zyrih, të uleshin dhe të na mësonin se çfarë u ka munguar të hënën e shkuar në klasë. Dhe patjetër që do të mësojmë më shumë prej tyre sesa në mbledhje.
Edhe në Shqipëri është një festë zyrtare dhe është bukur që kanë kalendarin në një ditë për nder të Alfabetit. Për ne dhe besoj edhe për qeverinë e Kosovës, 22 Nëntori mund të ishte një ditë e bukur për t’ia kushtuar llogaridhënies për gjuhën shqipe.






