Ballina Kronike Tenderi i KESH-it me fitues të paralajmëruar/ Dosja e SPAK nxjerr mesazhet...

Tenderi i KESH-it me fitues të paralajmëruar/ Dosja e SPAK nxjerr mesazhet mes Berberit, Rukos dhe Dakolit

Dritan Dakoli është biznesmeni i kompanisë “Euronet”, i cili, sipas hetimeve të SPAK, rezulton të ketë mbajtur kontakte të vazhdueshme me Ervis Berberin, me qëllim që tenderi i KESH-it të fitohej nga Ervis Myftari.

Ky i fundit rezulton të ketë njohje të afërta me Dakolin, pasi më herët, sipas të dhënave të administruara nga SPAK, ata kanë pasur edhe histori punësimi të përbashkët.

Pas hapjes së garës për tenderin, rezulton se Adela Ruko i ka komunikuar Ervis Berberit edhe momentin kur do të publikohej njoftimi i fituesit, me qëllim që ky i fundit të vinte në dijeni Dritan Dakolin.

Më datë 23.01.2020, në orën 08:27, shtetasja Adela Ruko i ka dërguar mesazh Ervis Berberit me përmbajtjen:

“Babe, sot del njoftimi i fituesit për Harvardin.”

Ervis Berberi i është përgjigjur: “OK.”

Më pas, Ruko i ka dërguar një tjetër mesazh, ku shkruante:

“Ju thuaj të bëjnë gjithë dokumentacionin e hedhur në sistem, bashkë me sigurimin e kontratës, që kur të të them të vijnë t’i sjellin që të lidhim kontratën.”

Ervis Berberi i është përgjigjur:

“Pa merak se i kanë.”

Më tej, Adela Ruko i ka kërkuar edhe numrin e llogarisë bankare dhe IBAN-in.

Në orën 13:05, Ervis Berberi i ka dërguar mesazh Dritan Dakolit me përmbajtjen:

“Del njoftimi i Harvardit sot. Bëj gati letrat që të firmosësh kontratën.”

Dakoli i është përgjigjur:

“OK vëllai. Nesër e pimë një kafe?”

Një ditë më pas, më 24.01.2020, në orën 08:49, Adela Ruko i ka dërguar mesazh Ervis Berberit:

“Thuaju pak të sjellin dokumentet dhe sigurimin e kontratës sot, ata të Harvardit.”

Berberi i është përgjigjur:

“OK, do vijnë.”

Në orën 08:50, këtë mesazh Ervis Berberi ia ka përcjellë Dritan Dakolit, i cili i është përgjigjur:

“Hahaha, ne çunat e Harvardit. OK, patjetër. Vëllai, më jep një numër kontakti.”

Më 25.01.2020, në orën 10:47, Dritan Dakoli i ka shkruar Ervis Berberit:

“Viso, mirë? Paradhënie do ketë me pyet Harvardi?”

Berberi i është përgjigjur:

“Se ka ndarë akoma.”

Më pas, Dakoli i ka shkruar:

“Se duan paratë ato me fillu punë. U mësuan dhe keq me atë kontratën e katundit. Aty paradhënie 50%.”

Ervis Berberi i është përgjigjur:

“Po aq s’bëhet fjalë.”

Më tej, Dakoli i ka shkruar:

“Sa të jetë, brenda ligjit.”

Në lidhje me operatorin ekonomik “Consulting & Management Albania” sh.p.k., i cili është shpallur fitues i procedurës së prokurimit, nga hetimi kanë rezultuar të dhëna me interes.

Shoqëria “Consulting & Management Albania” sh.p.k. është themeluar më datë 19.09.2008. Në kohën e zhvillimit të procedurës së prokurimit, aksionerë të saj kanë qenë shtetasit Ervis Myftari, me 66% të aksioneve, dhe Skënder Bedalli, me 34% të aksioneve.

Sipas të dhënave të hetimit, Ervis Myftari ka qenë i punësuar pranë shoqërisë “R&T” sh.p.k. për periudhën 14.07.2017–15.08.2022.

Ndërkohë, Dritan Dakoli rezulton të jetë punësuar pranë kësaj shoqërie që prej datës 01.11.2011.

Dakoli rezulton gjithashtu aksioner i shoqërisë “Euronet” sh.p.k. që prej datës 19.06.2019.

Kjo shoqëri ka deklaruar në sistemin e administratës tatimore C@TS adresën elektronike “[email protected]”. E njëjta adresë email-i është deklaruar edhe nga shoqëria “Calypso Group Limited” sh.p.k., administrator dhe pronar i së cilës rezulton të jetë shtetasi Ervis Myftari./ oranews

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks