Është dokumentuar prania e Pulës së Egër (Tetrao urogallus) në Parkun Kombëtar “Alpet e Shqipërisë”, një prej shpendëve më të mëdhenj dhe më të rrallë të pyjeve malore në vend, bën me dije Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura.
Kjo specie jeton në pyje halore dhe të përziera, në zona të qeta me ndërhyrje të kufizuar njerëzore. Mashkulli dallohet për përmasat e mëdha dhe pendët e errëta karakteristike, ndërsa femra për ngjyrat kafe të kamufluara që e ndihmojnë gjatë folezimit.
E ushqyer me fara, sytha, gjethe, manaferra dhe insekte, Pula e Egër luan një rol të rëndësishëm në ekuilibrin e ekosistemeve pyjore dhe është një tregues i biodiversitetit të pasur dhe i pyjeve të shëndetshme.






