Shkodra është rikthyer edhe këtë vit në qendrën e muzikës për fëmijë! Në skenën e teatrit “Migjeni”, çeli siparin edicioni i 64-t i Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë, një prej ngjarjeve artistike më të rëndësishme në vend. 15 krijime muzikore, të interpretuara live nga artistët e vegjël, u ngjitën në skenë në natën e parë, duke sjellë spektakël, energji, ngjyra dhe emocione. Performancat u karakterizuan nga larmia e tematikave dhe cilësia artistike, duke dëshmuar nivelin e lartë të talenteve të reja që po rriten në skenën muzikore shqiptare.
Dirigjenti i festivalit, Ermir Zoga, vlerësoi interesin në rritje për këtë aktivitet, duke theksuar se mundësia që fituesi të përfaqësojë Shqipërinë në Junior Eurovision Song Contest ka sjellë një dimension të ri për festivalin dhe ka rritur konkurrencën mes pjesëmarrësve. Atmosferës festive iu bashkuan edhe fituesja e edicionit të kaluar, Kroni Pula, si dhe anëtarja e jurisë së fëmijëve, Eden Dani.
Festivali do të vijojë me natën e dytë konkurruese, ku do të prezantohen edhe 16 këngë të tjera. Në fund do të shpallen fituesit e çmimeve kryesore, ku kënga triumfuese do të përfaqësojë Shqipërinë në skenën ndërkombëtare të Junior Eurovision Song Contest.






