Ne Lezhë kanë nisur përgatitjet për përkujtimin e 155-vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës. Në fshatin e tij të lindjes, banorët janë bërë bashkë dhe po punojnë vullnetarisht për krijimin e infrastrukturës së Itinerarit Fishtjan, me një gjatësi prej 8 kilometrash. Poezitë dhe thëniet më të spikatura nga veprat e At Gjergj Fishtës janë vendosur në tabela përgjatë itinerarit, i cili nis nga shtëpia ku ka jetuar poeti dhe vijon nëpër fshat. Gjatë këtyre ditëve, banorët do të hapin dyert e shtëpive për të mirëpritur vizitorët. Drejtori i Trashëgimisë Kulturore në Lezhë, Paulin Zefi, thotë se përtej përkujtimit të figurës dhe promovimit të veprës së At Gjergj Fishtës, ky aktivitet synon edhe promovimin e zonës, e cila po njeh gjithnjë e më shumë zhvillim turistik. Itinerari Fishtjan do të nisë më 23 tetor dhe do të vijojë për tre ditë me radhë. Krahas leximit të poezive, vizitorët do të kenë mundësi të njihen nga afër me traditat e zonës dhe mikpritjen e banorëve, të cilët do të hapin dyert e shtëpive të tyre.






