Ballina Aktualitet Rikthehet emri i Atë Pjetër Meshkallës në Universitetin e Shkodrës, pas heqjes...

Rikthehet emri i Atë Pjetër Meshkallës në Universitetin e Shkodrës, pas heqjes nga regjimi komunist

Senati Akademik i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ka miratuar unanimisht rikthimin e emërtimit “Atë Pjetër Meshkalla” për Auditorin A1, duke rikthyer kështu një nga emrat më domethënës të historisë intelektuale dhe qytetare të Shkodrës.

Vendimi u mor pas kërkesës së Fakultetit Ekonomik, e cila iu paraqit Rektorit Gjuraj dhe më pas u shqyrtua në mbledhjen e Senatit Akademik. Në votim morën pjesë 20 anëtarë, të cilët votuan të gjithë pro rikthimit të emrit. Rikthimi i emrit të Atë Pjetër Meshkallës konsiderohet si një akt institucional vlerësimi për figurën e jezuitit, intelektualit dhe klerikut që u përball me persekutimin e regjimit komunist për shkak të bindjeve dhe qëndrimeve të tij në mbrojtje të lirisë, besimit dhe mendimit të lirë.

Emri i Atë Pjetër Meshkallës ishte hequr në mënyrë arbitrare gjatë periudhës së diktaturës komuniste, në kuadër të fshirjes sistematike të figurave të klerit dhe elitës intelektuale shqiptare nga institucionet publike dhe memoria kolektive. Me vendimin e sotëm, Universiteti i Shkodrës rikthen jo vetëm një emërtim simbolik, por edhe një pjesë të rëndësishme të kujtesës historike dhe identitetit akademik të qytetit.

Kush ishte Pjeter Meshkalla:

U lind në qytetin e Shkodrës, në rrugën e Daulles. Mësimet e para i mori në vendlindje dhe më pas shkoi për studime teologjike në Linz të Austrisë ku kishte bashkëstudent Dom Kolec Prennushin, në Goricë të Sllovenisë dhe në Fakultetin e Filozofisë në Napoli (Itali). Më 1931 u shugurua meshtar i Shoqërisë së Jezuit në Shkodër dhe dha letërsi, gjuhë shqipe e filozofi në Seminarin Papnor.

Më 1934 themeloi rrethin «Shën Gjon Bosco» për edukimin e rinisë, dhe vazhdoi në Tiranë më 1937 në rrethin e «Shën Pjetrit».

Në vitin 1945, regjimi komunist i kërkoi bashkëpunim. Por ai, jo vetëm që nuk pranoi, por në predkun e mbajtur me rastin e vdekjes së Imzot Luigj Bumçit, demaskoi hapur regjimin. Për ketë arsye, më 1946 u arrestua. Pas një hetuesie të gjatë, më 18 prill 1947, Gjykata Ushtarake e Granizonit të Tiranës, e dënoi me 15 vjet privim lirie e punë të detyruar dhe humbjen e të drejtave për pesë vjet, si një nga themeluesit e organizatës «Bashkimi Kombëtar» dhe për agjitacion e propagandë. Në po këtë gjyq u dënuan edhe Dom Shtjefën Kurti e Imzot Irine Banushi. Dënimin e vuajti në disa kampe pune dhe në burgun e Burrelit, prej ku dhe u lirua më 1961, por pa të drejtën e shërbimit si meshtar. Kur në Shkodër po zhvillohej Revolucioni kulturor, ai i dërgoi një letër Mehmet Shehu, ku në fund i shkruante: “Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejt me u ba një propagandë ma anmiqsore në 22 vjetë, sa i keni ba vedit”. Ndaj, më 29 prill 1967, në Institutin Pedagogjik të Shkodrës, u organizua një mbledhje për “demaskimin” e veprimtarisë së tij. Dhe më 19 korrik të po atij viti, me vendim nr. 44, Gjykata e Shkodrës e dënoi me 10 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë për “agjitacion e propagandë”.

Pas lirimit më 1978, u internua në kampin e Vlorës. Vdiq me 28 korrik të vitit 1988. Është kleriku i parë që u dekorua më 1992 «Pishtar i Demokracisë». Në nderim të persekutimit dhe qëndrimit të tij përgjatë regjimit komunist, Jezuitët i vunë emrin e tij shkollës së mesme që mëkëmbi Kolegjin e moçëm Saverian.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks