Ballina Kronike “Metamorfoza”, dëshmojnë ish-efektivët e policisë për vrasjen e Gjin Boriçit në Vau...

“Metamorfoza”, dëshmojnë ish-efektivët e policisë për vrasjen e Gjin Boriçit në Vau të Dejës

Në seancën e radhës në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO, në kuadër të procesit “Metamorfoza”, dëshmuan dy ish-efektivë të policisë së patrullës së përgjithshme në Vau të Dejës, lidhur me vrasjen e Gjin Boriçit në gusht të vitit 2020.

I pari që dha dëshminë ishte ish-polici Fran Gjoka, i cili deklaroi se në kohën e ngjarjes shërbente në patrullën e përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Vau i Dejës.

“Kur është vrarë Gjon Boriçi, e mbaj mend si ngjarje. Rreth orës 05:30-06:00 kam qenë duke shkuar në komisariat. Së bashku me kolegun tim shkuam në vendin e ngjarjes dhe konstatuam një automjet dhe një person të shtrirë pas tij. Personi ndodhej 2-3 metra larg mjetit me ngjyrë kafe”, deklaroi ai para togave të zeza.

Sipas Gjokës, efektivët njoftuan menjëherë grupin hetimor dhe qëndruan në vendngjarje deri në mbërritjen e strukturave të tjera policore.

“Ne vetëm rrethuam vendin e ngjarjes. Viktima ishte i shtrirë me shpinë dhe nuk e dallova dot. Automjeti ishte i fikur dhe i mbyllur, pa dëmtime të dukshme”, u shpreh ish-efektivi.

Ai shtoi gjithashtu se nuk mban mend të ketë konsumuar duhan në vendin e ngjarjes.

Në seancë dëshmoi edhe ish-polici i patrullës së përgjithshme, Gëzim Demaj, i cili tha se natën e ngjarjes ishte në turnin e tretë të shërbimit.

“Në orën 05:30 kam hipur në makinë bashkë me një person tjetër dhe pranë një karburanti kishte ndodhur një vrasje. Pashë makinën e ndaluar dhe i thashë shoferit të ndalonte pasi do të shkonim në vendngjarje”, deklaroi Demaj.

Ai tregoi se kishte njoftuar sallën operative dhe patrullën, ndërsa viktima ndodhej rreth 5 metra larg automjetit, në anën tjetër të rrugës.

“Kur shkova, makina ishte e fikur dhe një person ishte i shtrirë në tokë, pa shenja jete. Kam qëndruar aty deri në orën 08:30. Kam gjetur 5 gëzhoja dhe i kam fiksuar në vendngjarje, pasi kjo është detyrë e patrullës”, tha ai.

Sipas dëshmisë së Demajt, ai ishte përballur rastësisht me skenën e krimit dhe nuk kishte marrë njoftim paraprak nga salla operative për ngjarjen./euronews.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks