Në mbledhjen e Grupit të PS, kryeministri Edi Rama komentoi sërish protestat për Zvërncin, duke thënë se bota nuk u zgjua nga Narta, por nga emri i Kushner dhe hija e vjehrrit të tij, Donald Trump. Rama thotë se Zvërneci u bë pjesë e një lufte ideologjike.
“Degradimi i dhunshëm i një sherri vulgar mes rojeve të sigurisë private dhe një protestuesi u bë zanafilla e një lufte globale online, ku nuk mbeti llogore pa shkrehur municionet përkatëse. Po të ishte për botën e Nartës, ajo mund të ishte kthyer qetësisht edhe 10 vite më parë, kur flamingot nuk shtegtonin më drejt lagunës së saj, sepse i priste plumbi i gjuetarëve të dehur me dy këmbë. Bota nuk u zgjua prej fatit të Nartës, por prej emrit të Kushnerit dhe hijes së vjehrrit të tij, të cilin e urrejnë për vdekje të gjitha armatat online. Dhe si në një film, bulevardi përputhi atë arenë të frikshme me krejt armatën e urrejtësve shqiptarë, online dhe offline. Jo kundër Trumpit, por ndaj meje dhe ndaj jush. I gënjeu mendja se çadra globale e kësaj proteste do të bënte mrekullinë që nuk e bëri dot çadra lokale e protestës së Lulit tim dhe kështu do të laheshin dy hesape të vjetra. Bota e madhe do ta turpëronte Trumpin në betejën e Nartës”, tha Rama.
Rama tha se me PS nuk fitohet duke dalë me lugën e ndryshkut në tregun e karrierave të humbura.
“Por ata të karrierës janë më qesharakët. Sepse se kanë marrë vesh qe me PS dhe ne nuk fitohet duke dalë me lugën e ndryshkut në tregun e karrierave të humbura. Algoritmi e ka të domosdoshme të shfaqet edhe profetët që lajmërojnë fundin e botës analistët që bwjnw analiza pa fakte, strategët që nuk dinë çdo të thotë të bësh strategji sektoriale. Për ta nuk ka rëndësi, se ca ndërtohet, për ta ka rëndwsi se çfarë duhet shembur dhe si ta shembin, se vetëm në rrënojat e punë së tw tjerëve ata mund të ngrihen në piedestalin e madhështisë, në skenën virtuale ku marrin liket, follwersat. Për ta çdo incident është një revolucion. Sa vite kemi që i dëgjojmë paralajmëruesit e stuhive të ardhme, për fundin e kësaj force politike, çdo protestë është rast për përmbysje, jo për temën. Çdo protestë për temën është gjëja më legjitime, dhe kur ti je gati të ftosh nw diskutim për të kuptuar se si mund të adresohet tema më mirë, aksush nuk paraqitet sepse të jesh pjesë e cunamit është shumë më e rëndësishme se të jesh pjesë e zgjidhjes. Secili kërkon diçka, e kërkon përmes asaj vale çmendurie, duke ushqyer algoritmit dhe të kundërtën e asaj për të cilën pretendon se është atje”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama, edhe sot nga mbledhja e Grupit Parlamentar të PS, ka sulmuar blogerët dhe influencerët që mbështesin protestat kundër investimit në Zvërnec.
“Sa herë e keni dëgjuar gjatë këtyre ditëve nga njerëz që kurrë në jetën e tyre as nuk e kanë imagjinuar të përzihen me protesta, por janë bërë parelinj me shalë e kremra, që të shfaqen atje bashkë me shalët dhe kremrat e tyre, sepse është trendi. Kanë frikë të mbeten jashtë valës. Sepse në ekonominë e vëmendjes heshtja nuk shpërblehet. Shpërblehet vetëm pjesëmarrja. Shpërblehet ai që bën videon më dramatike. Dhe një protestë nuk është më protestë, por një treg klikimesh e morali, madje edhe një treg karrierash”, tha mes të tjerash Rama.
“Algoritmi është aty për të shpërblyer konfliktin. Shpërblen frikësimin e të tjerëve, sepse frikësimi prodhon klikime, klikimet prodhojnë kohë, dhe koha prodhon para. Dhe kështu, për herë të parë në histori, ekonomia e vëmendjes është bërë ekonomi politike. Sa më shumë zemërim, aq më shumë shikueshmëri. Sa më shumë ndikim, aq më shumë pushtet; pushtet mbi skllevërit e algoritmeve. Kjo është arsyeja që sot protestat kanë nevojë për një shesh që proteston me algoritëm. Sheshi është thjesht një studio televizive e algoritmit. Aty filmohet materiali për të ushqyer algoritmin.
Demokracitë janë ndërtuar për njerëz që votojnë, jo për platforma që përdorin nervozizmin. S’ka lidhje më me opozitën apo qeverinë, por me konfliktin e hapur politik në shërbim të vendit dhe algoritmit. Unë kam frikë se edhe unë që po flas, duke qenë prej vitesh shumë i tërhequr nga zhvillimet e asaj bote, nuk e kuptoj sa e madhe dhe monstruoze është kjo betejë, sa monstruoze mund të bëhet për fëmijët tanë. Kush kërkon like për zemërim punon kundër fëmijëve të tij.
Unë nuk dua të bëj këtu asgjë përveç se të përcjell diçka nga ato që kam mësuar. Por nëse shekulli i 19-të prodhoi proletariatin industrial, shekulli i 20-të prodhoi shoqërinë e masmedias, shekulli i 21-të po prodhon proletariatin e algoritmit, që nuk i bashkon puna, por vëmendja, që i bashkon një iluzion shumë i madh, që sa më shumë të dukesh, aq më shumë autoritet ke.
Nuk kam besuar asnjëherë që demokracia është pronë e politikanëve, është e qytetarëve. Por demokracia nuk ka thënë kurrë që çdo mendim ka të njëjtën peshë dhe se çdo fjali ka të njëjtën vlerë. Liria e fjalës nuk e ka përmbysur kurrë deri më sot ligjin e pashkruar të gravitetit të dijes. Demokracia nuk e ka zëvendësuar me diçka tjetër as përvojën, as përgjegjësinë. Sot, për herë të parë, demokracia po përballet me njeriun që mund të mos ketë asnjë kompetencë për të folur për atë që merr përsipër, që nuk i ka thënë kush “mirëmëngjes, punë e mbarë”, që nuk ka administruar kurrë një zyrë me 3 veta. Ky tip zgjohet në mëngjes me bindjen që e njeh shtetin më mirë se kushdo. Pse? Sepse algoritmi i ka dhënë atij dukje, që dikur fitohej vetëm me vite pune, duke e vendosur veten në vëmendjen e të tjerëve me pahir, duke thirrur “vdekje tradhtarëve”.
Në kohën tonë kjo dukje ngatërrohet çdo ditë e më shumë me autoritetin. Autoriteti nuk është më ai që e shohin më shumë njerëz, është ai që mban më shumë përgjegjësi, por algoritmi nuk njeh përgjegjësi, por vetëm vëmendje. Ti nuk je më i pavarur, kujton se je i pavarur. Ti je thjesht një skllav i algoritmit që të nxit që ti të bëhesh më kërcënues. Nuk ka pikë rëndësie nëse ajo që thuhet është vërtetë, mjafton të jetë tronditëse, zemëruese. Prandaj jetojmë në një kohë kur britma udhëton shumë herë më shpejt se argumenti.”






