Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje për bashkimin e forcave politike opozitare dhe qytetarëve në mbështetje të protestës studentore. Pas debateve për incidentet e regjistruara gjatë tubimit të djeshëm, Berisha deklaroi se ato nuk kishin lidhje me studentët, por sipas tij, ishin provokime të organizuara nga persona të paguar.
Duke iu përgjigjur pyetjes nëse PD duhet të organizojë protesta të veçanta dhe të mos bashkohet me tubimet e studentëve, Berisha theksoi se demokratët do të vijojnë të jenë pjesë e revoltës, por pa simbolet partiake, në respekt të karakterit të saj.
“Dje populli, siç e patë, ishte populli demokrat. Dhe ka qenë dhe do të jetë populli demokrat në mbështetje të studentëve, në mbrojtje të tyre. Ne jemi parti proteste. Kemi lindur në protestë dhe do të jemi në këtë protestë. Jo me simbolet tona, në respekt të studentëve dhe pluralitetit të tyre, por në mbështetje të plotë”, tha Berisha.
Berisha hodhi poshtë pretendimet se incidentet gjatë protestës së djeshme ishin shkaktuar nga studentët, duke akuzuar persona të tjerë se kishin vepruar për të provokuar përplasjet. Ai pretendoi se disa prej tyre ishin të paguar dhe se kishin synuar krijimin e incidenteve.
Kreu i PD-së u ndal edhe te mbështetja ligjore që, sipas tij, partia u ka ofruar studentëve të përfshirë në procese gjyqësore, duke deklaruar se mbi 600 prej tyre janë asistuar nga zyra ligjore e demokratëve.
“Janë mbi 600 studentë, të cilët kanë marrë mbrojtje ligjore nga zyra jonë ligjore. Deputetët e Partisë Demokratike, drejtuesit e saj, në mënyrë konstante kanë marrë pjesë në to. Dhe përveç pjesëmarrjes si mbështetje, kanë bërë një mbrojtje efikase të studentëve”, tha Berisha.
Në përfundim, Berisha përsëriti thirrjen për bashkimin e opozitës dhe qytetarëve në mbështetje të studentëve, duke theksuar se askush nuk duhet të pengojë të drejtën e protestës.






