Kryetari i Partisë Demokratike në Shkodër, Ardit Çylybyli, ka zhvilluar një takim me strukturat e Grupseksionit Postribë, ku në qendër të diskutimeve ishte organizimi dhe mobilizimi për protestën kombëtare të 7 Nëntorit në Tiranë, në mbështetje të studentëve.
Gjatë takimit u diskutua mbi koordinimin e strukturave të PD-së, angazhimin e tyre dhe sigurimin e një pjesëmarrjeje sa më të gjerë nga Shkodra dhe zona e Postribës në këtë protestë.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua gjithashtu intensifikimit të punës në terren, zhvillimit të takimeve me seksionet dhe forcimit të komunikimit e bashkëpunimit në të gjitha nivelet e organizimit partiak.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Çylybyli ka theksuar rëndësinë e organizimit dhe angazhimit të çdo strukture, duke shprehur mbështetjen e tij për studentët.
“Organizim, bashkëpunim dhe angazhim në çdo strukturë, me studentët deri në fund!”, shkruan Çylybyli, duke bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën e 7 Nëntorit në Tiranë.






