Kreu i Partisë Demokratike, Ardit Çylybyli, ka reaguar ndaj nismës së mazhorancës për të hapur dyert e institucioneve dhe për t’u afruar me qytetarët, duke e cilësuar atë si një tjetër përpjekje propagandistike.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Çylybyli e lidh nismën me konceptin e “Pranisë Besnike”, duke ngritur pyetjen se përse mazhoranca, sipas tij, është kujtuar vetëm tani për shqetësimet e qytetarëve, pas katër mandatesh në pushtet.
Statusi i plote:
Katër mandate në pushtet dhe tani “hapin dyert” për qytetarët!
“Prania Besnike” është kthyer në zhurmen e madhe propagandistike të këtyre ditëve të mazhorancës socialiste. Sikur kjo e fundit po fle dhe zgjohet me shqetësimet e qytetarëve, pasi ka ardhur nga një planet tjetër dhe u njoh me këtë realitet. Paradoksale dhe qesharake e gjitha kjo që po shohim!
Po ku ishit deri dje?
Ku ishit kur qytetarët e Shkodrës dhe mbare Shqipërisë kërkonin të dëgjoheshin?
Ku ishit kur familjet përballeshin me emigracionin, papunësinë, varfërinë dhe braktisjen?
Ku ishit kur bizneset mbyllnin dyert nën peshën e taksave, gjobave dhe një administrate që e ka parë qytetarin si numër dhe jo si njeri?
Pas katër mandatesh të mbushura me Arrogancë, Korrupsion, Krim dhe Shkatërrim,
tani na shfaqen me dyer të hapura dhe me premtimin se do të dëgjojnë shqetësimet e qytetarëve.
Pse vetëm tani?
Pse pasi korrupsioni është kthyer në një nga plagët më të mëdha të këtij pushteti?
Pse pasi skandalet kanë prekur nivele gjithnjë e më të larta të administratës dhe qeverisë?
Pse pasi SPAK ka hetuar zyrtarë të lartë dhe çështje të mëdha të prokurimeve publike?
Ky është modeli i një pushteti të konsumuar, që për katër mandate ka pasur kohë, mjete dhe përgjegjësi të mjaftueshme për të dëgjuar qytetarët, por kujtohet për ta vetëm kur kamerat ndizen dhe kur duhet prodhuar “shoë”-i i radhës.
Por qytetarët nuk kanë nevojë për dyer që hapen me regji politike.
* Kanë nevojë për institucione që përgjigjen çdo ditë.
* Kanë nevojë për transparencë.
Kanë nevojë për drejtësi.
* Kanë nevojë që paratë publike të mos kthehen në terren për afera e privilegje.
* Kanë nevojë që pushteti të mos sillet sikur shteti është pronë e partisë.
Korrupsioni i tejskajshëm, skandalet e njëpasnjëshme dhe arroganca e pushtetit nuk fshihen duke hapur një derë përpara kamerave, e aparateve që gjoja i fotografojnë pas shpine. Një pushtet që ka pasur katër mandate për të dëgjuar qytetarët nuk mund të kërkojë tani duartrokitje sepse vendosi t’i dëgjojë. Kjo nuk është “prani besnike”. Është përpjekja e radhës për të mbuluar me fasadë një pushtet të konsumuar nga vitesh qeverisje, skandale dhe korrupsion. Shkodra e njeh shumë mirë dallimin mes punës për qytetarin dhe propagandës për pushtetin. Dhe qytetarët nuk kanë më nevojë për show.
* Kanë nevojë për llogaridhënie.
* Kanë nevojë për ndryshim.
* Kanë nevojë për një pushtet që u shërben atyre, jo një pushtet që kujtohet për ta vetëm kur i duhen.






