
4 Nëntori 1990 shënon një nga datat më të rëndësishme në historinë e lirisë së besimit në Shqipëri. Në këtë ditë, në Varrezat e Rrmajit në Shkodër, Dom Simon Jubani kremtoi Meshën e Parë publike, duke shënuar rikthimin e lirisë fetare pas dekadash të përndjekjes ateiste nga regjimi komunist. Në përkujtim të kësaj ngjarjeje historike, Dom Artur Jaku, rektor i Bazilikës së Zojës së Këshillit të Mirë, ka ndarë një reflektim të veçantë, kushtuar martirëve, klerikëve dhe të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë e besimit dhe dinjitetin njerëzor.
Statusi i plote:
Eh, sikur të kishte gojë ai çinar shekullor i Vorrezave të Rrmajit! Sa histori dhimbjeje, qëndrese e heroizmi kishte me na rrëfye! Kishte me na folë për ato çaste kur plumbat shponin krahnorët e martirëve, ndërsa prej buzëve të tyne ushtonte thirrja e pavdekshme: “Rrnoftë Krishti Mbret!” E teksa trupat binin mbi tokën e përgjakun, shpirtnat ngjiteshin drejt qiellit, tue marrë me vete pengun e nji andrre të papërmbushun: Shqipninë e lirë.
Mesha e Parë, e kremtueme prej Dom Simon Jubanit, nuk ishte thjesht nji ceremoni fetare. Ishte ngadhnjimi i besimit mbi frikën, i guximit mbi tiraninë dhe i dritës mbi terrin. Ishte dëshmia se trupi mund të vritet, por shpirti e ideali nuk munden me u mposhtë.
Vorrezat e Rrmajit janë nji katedër e gjallë e lirisë, nji altar i shenjtë i kujtesës kombëtare. Aty pushojnë figura të ndrituna si Kolë Idromeno, Pjetër Marubi, Simon Rrota, Prenkë Jakova, Pjetër Gaci, Hilë Mosi e sa e sa të tjerë. Aty jeton edhe kujtimi i Dom Ndre Mjedës, Atë Gjergj Fishtës e i klerikëve që, me besim, dije e sakrificë, ia ndriçuen shpirtin kombit shqiptar.
Prandej, nuk ishte rastësi që Mesha e Parë u kremtue pikërisht në atë vend, mbi atë tokë të vaditun me gjak martirësh, me lot dhimbjeje e me amanete lirie.
Ajo Meshë ishte ringjallja e shpresës, zani i lirisë që theu heshtjen e vorreve dhe dëshmia se besimi mund të përndiqet, por kurrë nuk mund të shuhet.
Ishte përmbushja e nji amaneti të shenjtë: për nji Shqipni të lirë, me Zot e me fytyrën kah Europa.





