Komisioni Europian publikon Progres-Raportin 2026 për Shqipërinë. Dokumenti njeh përparimin e vendit në procesin e integrimit europian, por ngre shqetësime për funksionimin e institucioneve demokratike, korrupsionin, ndërhyrjet politike në drejtësi dhe lirinë e medias. Brukseli vlerëson se Shqipëria ka përmbushur kriteret e ndërmjetme për çështjet themelore të negociatave, ndërsa objektivi i autoriteteve shqiptare mbetet mbyllja e të gjithë kapitujve deri në fund të vitit 2027. Megjithatë, Komisioni evidenton mungesën e dialogut politik mes mazhorancës dhe opozitës, refuzimin e kërkesave për komisione hetimore dhe politizimin e emërimeve në institucionet e pavarura. Kritika ka edhe për sistemin e drejtësisë. Ndonëse vlerësohet përfundimi i procesit të vettingut dhe puna e SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, raporti shpreh shqetësim për përpjekjet e politikanëve dhe zyrtarëve publikë për të ndikuar në sistemin gjyqësor. Një tjetër problematikë e evidentuar është liria e medias. Sipas Komisionit Europian, pavarësia e mediave vijon të ndikohet nga interesat politike dhe ekonomike, përqendrimi i pronësisë dhe presionet ndaj gazetarëve. Raporti ndalet edhe te protestat qytetare të muajve të fundit, përfshirë ato të udhëhequra nga studentët, duke bërë thirrje për dialog konstruktiv mes palëve. Sa i përket të drejtave themelore, Brukseli kërkon përmirësimin e kushteve në burgje, garantimin e së drejtës së pronës dhe mbrojtjen e pakicave. Ndërkohë, në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Europian, Shqipëria ka përmbushur 33 nga 66 hapat e parashikuar deri në dhjetor 2025. Në dispozicion të vendit janë mbi 920 milionë euro në grante dhe kredi. Progres-Raporti i këtij viti përcjell kështu një mesazh të qartë: Shqipëria ka bërë hapa përpara drejt Bashkimit Europian, por për të arritur objektivin e vitit 2027, kërkohen reforma konkrete dhe rezultate të prekshme në demokraci, drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit.






