Ballina Politike Rama nga Brukseli: Nuk ka asgjë më të mirë sesa BE! /...

Rama nga Brukseli: Nuk ka asgjë më të mirë sesa BE! / “Unë jetoj për ndryshim”, Rama: Nuk largohem, kam kontratë me shqiptarët

Kryeministri Edi Rama, nga Brukseli, mori pjesë në “EuroNews Enlargement Summit”, ndërsa komentoi perspektivën evropiane të Shqipërisë, duke u ndalur fillimisht te qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës dhe rëndësia e integrimit evropian për rajonin. Kreu i qeverisë u shpreh se, pavarësisht çështjeve komplekse që shoqërojnë procesin, Bashkimi Evropian mbetet alternativa më e mirë për vendet e rajonit. Ai theksoi se Bashkimi Evropian duhet të ndërmarrë hapa të guximshëm për të pranuar vendet të reja në gjirin e saj dhe e gjitha kjo pohoi kryeministri të bazohet në meritë.

“Unë besoj fort se, në një botë që po ndryshon me shpejtësi, BE-ja duhet të ndërmarrë hapa po aq të guximshëm, përtej punës së zakonshme. Procesi i integrimit duhet të bazohet te merita dhe të gjithë duhet t’i nënshtrohen të njëjtave rregulla. Askush nuk duhet të kërkojë dhurata, rrugë të shkurtra apo fleksibilitet. Na merrni në shtëpi, sepse është edhe shtëpia jonë, ashtu siç është e juaja. Kemi punuar shumë fort, por procesi nuk ka qenë i lehtë. Kemi përjetuar vonesa dhe kemi parë se BE-ja jo gjithmonë i ka përmbushur premtimet e saj, por edhe se mund të bëjë më shumë nga sa pritet. Ajo që di është se po punojmë intensivisht mbi një plan të përbashkët, të mbështetur nga Komisioni Evropian, për të përmbyllur negociatat në fund të vitit 2027. Gjithçka po ecën sipas planit. Ne kemi ende probleme dhe sfida për të kapërcyer dhe nuk jemi ende gati për të qenë anëtarë me të drejta të plota. Ndërtimi i shteteve me demokraci funksionale është një proces që duhet ta bëjmë për hir të fëmijëve tanë. Është një bekim të jesh në zemër të Evropës dhe, duke ardhur nga një histori kaq e vështirë, të kesh mundësinë e transformimit që ofron perspektiva evropiane. Ky është ndryshimi.”

Rama ka komentuar zhvillimet më të fundit në vendin tonë, përfshirë edhe protestat. Nga Brukseli, Rama e bëri të qartë që nuk do të  largohet pasi mandatin ja kanë dhënë qytetarët që e kanë votuar, por ftoi protestuesit në dialog dhe të diskutojnë mbi shqetësimet që ata kanë.

“Kemi hedhur një hap historik dhe jemi kthyer në një vend me pritshmëri të larta. Vjen një moment kur duhet të përballesh jo më me nevojat, por me pritshmëritë. Ky është një fenomen që po ndodh kudo. Po përballemi me një realitet të ri, atë të mediave sociale, që krijon një përplasje të fortë me realitetin e përditshëm. E kam përjetuar personalisht këtë fuqi. Kishim protestues të dhunshëm dhe dyfishin e tyre në numër, policë të plagosur. Por, po të shihni televizionin dhe mediat sociale, krijoni një perceptim krejt tjetër për atë që ka ndodhur në Shqipëri. Ditën kur të mendoj se nuk kam më nevojë të ndryshoj, do ta lë këtë detyrë. Unë dua të ndryshoj dhe këtë e kam bërë gjithmonë. Por ajo që po përpiqem të them nuk ka të bëjë me qeverinë apo me veten, por me realitetin ku po jetojmë, i cili do të bëhet edhe më sfidues. Mendjet e të rinjve dhe fëmijëve kanë nevojë për mbrojtje. Ajo që po ndodh brenda tyre mund të ndikojë në mënyrën se si do të drejtohet Evropa e së nesërmes. Unë jam gjithmonë i gatshëm të debatoj, të sfidoj dhe të sfidohem. Por nuk është e lehtë kur, në vend të dialogut, dëgjon vetëm kërkesën për t’u larguar. Këtë detyrë ma ka besuar populli shqiptar dhe unë kam një kontratë me të. Jam gati të flasim dhe të debatojmë. Kjo fazë e dhunës është karakterizuar nga një numër i vogël njerëzish.”

Ai theksoi se pavarësisht ndryshimeve politike që ndodhën pas zgjedhjeve, Serbia vijon të mbajë një qëndrim të mbyllur ndaj njohjes së Kosovës. Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se Serbia përbën një pjesë të rëndësishme të mozaikut të Ballkanit Perëndimor, duke nënvizuar se rajoni nuk duhet ta lejojë atë të largohet nga kursi europian. Sipas Ramës, braktisja e projektit evropian nga Serbia do të kishte pasoja negative për të gjithë rajonin, ndërsa përgjegjësia për korrigjimin e gabimeve i takon vetë Beogradit. Kryeministri Rama foli edhe për marrëveshjen për emigrantët më Italinë, për të cilën tha se ajo do qëndrojë në fuqi për aq kohë sa Giorgia Meloni do jetë kryeministre e Italisë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks