Nënkryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Nikola Kedhi, së bashku me kryetarin e PD-së Shkodër, Ardit Çylybyli, morën pjesë në Kuvendin e Bashkimit të Forumit Shqiptar në Tuz, në Mal të Zi, me ftesë të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj.
Përmes një statusi publik, nënkryetari i PD-së bëri të ditur se në këtë aktivitet përfaqësuan Partinë Demokratike dhe kryetarin Sali Berisha, duke përcjellë përshëndetjet dhe urimet e tij për shqiptarët e Malësisë, si dhe mbështetjen e plotë të PD-së për ta. Ai e cilësoi bashkimin e subjekteve politike shqiptare në Mal të Zi në një forcë të vetme si një moment me rëndësi të veçantë, duke vlerësuar se ky zhvillim përcjell mesazhin se interesat e përbashkëta kombëtare duhet të qëndrojnë mbi dallimet politike dhe ambiciet personale.
Në fjalën e tij, nënkryetari i PD-së iu referua edhe rëndësisë historike të Malësisë, duke kujtuar ngritjen e flamurit në Deçiq në vitin 1911, nën udhëheqjen e Dedë Gjo Lulit. Sipas tij, historia shqiptare, nga Deçiqi deri në Vlorën e Pavarësisë, dëshmon rëndësinë e bashkimit në mbrojtje të identitetit, lirisë dhe të ardhmes kombëtare. Ai vlerësoi se krijimi i Forumit Shqiptar përbën një hap të rëndësishëm për fuqizimin e përfaqësimit politik të shqiptarëve në Mal të Zi dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre. Gjithashtu, theksoi se një faktor politik shqiptar i konsoliduar kontribuon në një Mal të Zi më demokratik, më të qëndrueshëm dhe më pranë integrimit evropian.
Gjatë aktivitetit, përfaqësuesit e PD-së zhvilluan takime dhe biseda me drejtues politikë e institucionalë shqiptarë në Mal të Zi, mes tyre Nik Gjeloshaj, ministrin Marash Dukaj, nënkryetarin e Kuvendit Nikollë Camaj, kryetarin e Tuzit Lindon Gjelaj, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve dhe strukturave politike shqiptare. Në përfundim të mesazhit të tij, nënkryetari i PD-së përgëzoi Forumin Shqiptar për bashkimin dhe uruan Nik Gjeloshajn për zgjedhjen si kryetari i parë i kësaj force politike. Ai ritheksoi gjithashtu se Partia Demokratike e Shqipërisë do të vijojë të mbështesë shqiptarët në Mal të Zi, duke e konsideruar Shqipërinë si një mbështetje të rëndësishme për shqiptarët në rajon.






