Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me komunitetin shqiptar në Staten Island, New York, ku foli për lidhjen mes Shqipërisë dhe diasporës.
Në fjalën e tij, Rama vlerësoi kontributin e emigrantëve shqiptarë ndër vite dhe theksoi se marrëdhënia me diasporën tashmë ka kaluar nga dërgesat financiare te një partneritet më i gjerë.
Ai përmendi investimet, ekspertizën dhe rikthimin e shqiptarëve në atdhe, si edhe Strategjinë Kombëtare të Diasporës 2030. Me tone humori, Rama foli edhe për protestën me vezë ndaj tij pak ditë më parë në New York. Në fund, kryeministri u ndal te prania dhe roli i komunitetit shqiptar në jetën e SHBA-së.
Fjala e plote e kryeministrit Rama:
Shumë faleminderit të gjithëve për këtë mikpritje!
Me thënë të drejtën, kur më thanë mbrëmë që një “big storm” ishte duke ardhur, menduam se do të ishte një pengesë për ju që të mblidheshit këtu, por mesa duket, ju jo vetëm u mblodhët, por ndaluat dhe storm-in të bënte ato që parashikoheshin.
Dhe më vjen shumë mirë që jam këtu në Staten Island, ku thonë se është i vetmi vend në botë, ku mund të gjesh Ismail Qemalin, Isa Boletinin dhe Franklin Roosevelt, që janë krah për krah njëri-tjetrit, çka tregon se, pavarësisht se këtu jemi në Amerikë, ky është një territor jo zyrtarisht i pushtuar nga shqiptarët.
Më vjen shumë mirë po ashtu që jemi këtu sot për të ndarë disa gjëra që kanë ndodhur në këto vite, qysh se pikërisht këtu në Staten Island, në vitin 2015, unë isha në një darkë shqiptarësh, i ftuar së bashku me Hashim Thaçin, dhe në atë darkë u diskutua për herë të parë ideja e atij që 1 vit më pas u bë Samiti i parë i Diasporës në Tiranë, ku ishim së bashku me Hashim Thaçin dhe në 10 vjet prej atij samiti besoj se kanë ndodhur plot gjëra pozitive dhe lidhja e Shqipërisë me diasporën dhe e diasporës me Shqipërinë, që deri asaj kohe lidhej vetëm me dërgesat, që të gjithë emigrantët shqiptarë çonin në Shqipëri për të ndihmuar familjet që t’i mbijetonin vështirësive, është kthyer në një lidhje ku shumëçka tjetër ndodh dhe ku janë ngritur ura nëpër të cilat kalojnë interesa, kalojnë investime, kalojnë dhe plot rikthime shqiptarësh në tokën amë, qoftë për të bashkëfinancuar me miq dhe të afërm projekte të ndryshme, por qoftë edhe për të qëndruar në Shqipëri.
Në këto vite ka një fakt të jashtëzakonshëm që i bën një nder të madh diasporës shqiptare dhe që e vendos çdo emigrant shqiptar në një piedestal të posaçëm të historisë sonë. Fakti është se 90 % e familjeve shqiptare kanë përfituar të paktën një herë nga dërgesat financiare të diasporës dhe 9 në 10 shqiptarë janë shkolluar, kanë ngritur çatinë mbi kokë apo e kanë përmirësuar jetën e tyre falë jush, falë çdo familjari, të afërmi, miku që i është gjendur në ditë të vështira. Dhe ky është një nder i madh që do ta mbulojë me lavdi diasporën shqiptare të gjithë këtyre viteve.
Siç e thashë, nuk jemi më në atë fazë kur diaspora jepte, Shqipëria merrte dhe marrëdhënia mbaronte aty. Jemi në një fazë tjetër, kur diaspora nuk është vetëm kujtesë, nostalgji, solidaritet, por është edhe një lidhje gjithmonë e më e fortë dhe një partneritet, i cili ka hyrë në rrugën e një zhvillimi dhe ku sot kemi organe të një trupi krejt të ri që kemi ndërtuar, institucionet e diasporës, këshillat koordinues, agjencitë që luajnë rolin e urave dhe nga ana tjetër, samitet të cilat ndihmojnë për të bërë bilance dhe për të marrë përsipër angazhime.
Nga Samiti i fundit i Diasporës ne dolëm me një strategji kombëtare të diasporës 2030, e cila ka në përbërjen e vet, në përmbajtjen e vet, qeverisjen dhe shërbimet, dialogun dhe ekspertizën e diasporës, ekonominë dhe inovacionin, si dhe gjuhën dhe kulturën për më të vegjlit.
Kemi nisur të krijojmë një regjistër kombëtar të diasporës si një dritare për të gjithë ata që duan të investojnë sadopak apo sadoshumë në Shqipëri. Ajo që është më e rëndësishmja është se ky ndryshim që ka ndodhur në këtë marrëdhënie, nuk ka ndodhur thjeshtë aty ku ta rrok syri, por ka ndodhur në mendësi, ka ndodhur në atë që sot është një marrëdhënie shumë gjithëpërfshirëse, shumë organike dhe pjesë e këtij organiciteti ishin dhe vezët që m’u hodhën mua para pak netësh, të cilat treguan se jeta aktive shqiptare dhe jeta me Shqipërinë politike dhe me zhvillimet në Shqipëri, është diçka që tanimë i ka integruar bashkë shqiptarët në Shqipëri dhe shqiptarët kudo ku ndodhen. Madje një nga hedhësit e vezëve kishte ardhur nga Anglia për të hedhur vezë.Mund të kishte ardhur edhe në Tiranë, por preferoi të vinte në New York dhe me këtë rast, shpresoj të ketë kaluar mirë edhe me Policinë e New Yorkut.
Ndërkohë që, nga ana tjetër, ishte shumë e bukur që në trupën e mbrojtjes që u angazhua pastaj për çdo eventualitet, kryesori ishte një shqiptar që shërben në Policinë e New Yorkut. Kështu që, falë këtij integrimit të madh të shqiptarëve në jetën e këtij vendi dhe falë edhe interesimit të madh të shqiptarëve për jetën e atij vendi, unë u ndodha komplet në shtëpi. Edhe policia, edhe protestuesit, njësoj si në Shqipëri. Super!
Dhe për ta bërë komplet spektakolare këtë pamje integrimi, u mirëprita këtu nga Xhemoja dhe nga organizatorët me një tortë rozë që kishte dy flamingo si një zemër dhe më erdhi jashtëzakonisht mirë për vete, për flamingot, për Xhemon, për të gjithë, sepse jetojmë në një kohë kur Shqipëria tanimë nuk vuan më faktin e tmerrshëm se zogjtë e kafshët e njerëzit vriten dhe askush nuk merret me to, por jeton në një kohë kur shqetësohet për zogjtë, shqetësohet për gjethet, shqetësohet për fluturat, shqetësohet për ujin, shqetësohet për biodiversitetin, njësoj si në çdo vend kur problematikat e mëdha të mbijetesës janë kapërcyer dhe kanë filluar problematikat e mëdha të zhvillimit dhe koha kur Shqipëria mendonte ka edhe më keq, ishte koha kur ne nisëm së bashku këtë rrugëtim dhe falë këtij rrugëtimi, ka ardhur koha kur Shqipëria thotë ka edhe më mirë dhe kjo është sfida jonë e përditshme, sepse është e vërtetë, ka edhe më mirë dhe është plotësisht e vërtetë që ne së bashku mund të bëjmë çdo ditë e më mirë për Shqipërinë, për shqiptarët.
Duke qenë se këtu me mua, pasi pa që më hodhën disa vezë, erdhi me urgjencë kryepolici i Shqipërisë, Pjerin Ndreu dhe duke qenë se Pjerini, si një ndër kryetarët më të suksesshëm të bashkive të Shqipërisë, edhe pse nuk e thotë, jeton me vuajtjen e madhe që pse Lezha nuk është kryeqytet, më tha që bëj kujdes se këtu në sallë ka korçarë, ka mallakastriotë, ka vlonjatë, okej, të gjitha, por këtu në sallë ka lezhjanë dhe ti duhet të thuash diçka për ta. Çfarë të them unë për lezhjanët, përveçse lum si ju që keni Pjerin Ndreun dhe lum si Pjerin Ndreu që ju ka juve.
Por e vërteta është përtej shakasë që, në këtë rast, është shumë më tepër se gjysma e të vërtetës, që Shqipëria e sotme nuk është më Shqipëria në nevojë për ndihma. Patjetër që Shqipërisë, si çdo vend, ka familje që kanë nevojë të ndihmohen në vijimësi, por vetë Shqipëria, e cila i ngjante deri përpara 10 vitesh një njeriu me dorën e shtrirë për të kërkuar ndihmë, sot është një njeri krahapur për të mirëpritur investime, për të mirëpritur partneritete, për të mirëpritur eksperiencën e kujtdo, duke filluar nga eksperienca e shqiptarëve jashtë vendit dhe sot Shqipëria ka hapur një derë të re, derën e maleve të saj. Për të gjithë ata që në male kanë origjinën rrënjët, historinë e familjeve të tyre dhe që prej shumë vitesh kanë pritur momentin se kur do rindezin oxhakun e shtëpisë së stërgjyshërve të tyre.
Besoj se keni dëgjuar të mira dhe plot të këqija për Paketën e Maleve, për të cilën me siguri ju kanë thënë, siç thonë për çdo gjë tjetër, që është bërë për t’u vjedhur, është bërë për të grabitur malet, është bërë për t’i marrë malet, për t’i çuar diku tjetër, por në të vërtetë, Paketa e Maleve është bërë për të gjithë ju që keni një lidhje me ato male dhe që keni një tokë të trashëguar nga të parët në ato male dhe është ekskluzivisht për të adresuar një problematikë të ligjit, i cili nuk e ka zgjidhur dot çështjen e ndarjes së pronave në male, sepse në male pjesa dërrmuese e pronës është ndarë me kufijtë e vjetër dhe është ndarë në mirëkuptim mes fqinjëve, gjë që ligji nuk e parashikon dhe për këtë arsye, malësorët nuk e kanë pranuar atë ligj dhe për këtë arsye, Paketa e Maleve i jep mundësinë gjithkujt që të paraqitet në bashkinë përkatëse me kërkesën për të zhvilluar pronën e vet dhe Këshilli bashkiak e vendos kërkesën në një afishim publik për një muaj, për të parë nëse ka fqinj apo pretendues të asaj prone që thonë që ajo pronë s’është e jotja dhe nëse për një muaj nuk ka pretendime të tilla, atëherë fillon procesi i rindërtimit të shtëpisë së vjetër apo ndërtimi i një agroturizmi apo i ndërtimit të një ferme, gjithmonë në funksion të ekonomisë së maleve.
Unë gjithmonë e kam besuar, e kam besuar edhe më shumë, kur i kam parë nga afër malet e Shqipërisë, që pavarësisht se turizmi në Shqipëri identifikohet me detin, momenti i artë i turizmit shqiptar dhe momenti kur Shqipëria do të ngrihet në atë lartësi që ka potencialin e vet, do të jetë momenti kur malet të bëhen pjesë e industrisë së vet të turizmit, siç janë në Austri, siç janë në Zvicër dhe siç janë në disa vende që janë shumë të ngjashme me karakteristikat e maleve të Shqipërisë dhe prandaj qëndrova tek Paketa e Maleve pak më gjatë për t’ju siguruar se, së pari, ajo është bërë për të gjithë ata që kanë pronën atje, nuk është bërë për askënd tjetër dhe asnjë investitor tjetër nuk mund dot të ketë akses në ato prona, nëse nuk është partneri juaj dhe nëse nuk është dëshira juaj për ta pasur me vete.
Ndërkohë që, cilido prej atyre që kanë pronën, dëshiron të ketë partner edhe nga miqtë e të afërmit në shtëpi që ka këtu, patjetër që është i mirëseardhur dhe kthimi edhe i maleve në një burim mirëqenieje është një domosdoshmëri për ta çuar më tutje ekonominë e Shqipërisë.
Kini parasysh që vendi që emigrantët e parë lanë kur erdhën në Amerikë 30 e kusur vite më parë, ishte një vend me më pak se 200 dollarë për frymë dhe sot, edhe falë jush, është rritur 75 herë në 35 vjet dhe ambicia ime është që në 2030 ta kemi rritur 100 herë. Pra, kemi edhe 25 herë përpara për ta rritur së bashku.
Dhe nëse sot ne kemi arritur në 12 milionë vizitorë të huaj që vijnë në Shqipëri, objektivi për të rritur edhe pastaj ato që janë të ardhurat e shqiptarëve, është që numri i vizitorëve të shkojë në 20 milionë e pastaj më pas do t’i takojë më të rinjve që do të marrin stafetën, që ta çojnë atë edhe më lart, por më shumë sesa numri i vizitorëve, ajo që është shumë e rëndësishme për ne në këtë fazë, siç e thotë edhe Pjerini, është që të kemi më shumë investitorë cilësorë, në mënyrë që të kemi më shumë turistë që sjellin vlerën më të lartë gjatë qëndrimit të tyre. Sot karakteristika e turizmit shqiptar është turisti me të ardhura mesatare dhe të ulëta, ndërkohë që ne na mungon turisti me të ardhura të larta, që përfaqëson atë që quhet turizmi i vlerës së lartë.
Këtë synim ka edhe projekti i shumë diskutuar, projekti i famshëm, por edhe famëkeq, për fat të keq, si rezultat i shumë gënjeshtrave, manipulimeve, denigrimeve, politizimeve, projekti i Sazanit dhe projekti i Zvërnecit bashkë me të, një projekt që potencialisht sjell vetëm në Zvërnec më shumë se 4 miliardë euro. 4 miliardë euro në një ekonomi, që në totalin e vet është 27 miliardë euro. Juve i bëni vetë llogaritë më mirë. Është një projekt i jashtëzakonshëm për Shqipërinë. Sigurisht që ne jemi shumë të vetëdijshëm që sa ç’është i jashtëzakonshëm në përmasa, sa ç’është i jashtëzakonshëm në ambicie, sa ç’është i jashtëzakonshëm në aspektin financiar, është jashtëzakonisht delikat edhe në aspektin e ekuilibrit me mjedisin dhe për këtë arsye, ne po punojmë shumë intensivisht për të pasur një studim të impaktit mjedisor të detajuar edhe profesional, të standardeve më të larta ndërkombëtare dhe për të kuptuar ekzaktësisht cilat janë rreziqet reale dhe jo rreziqet që prodhohen orë e çast në rrjetet sociale nga lloj-lloj sharlatanësh dhe manipuluesish.
Në fund fare, për të mos ju marrë më shumë kohë dhe duke ju falënderuar me shumë respekt edhe me shumë mirënjohje për kohën që ju më dhatë dhe që na dhatë ne, nuk e kam harruar që sot është ditë pushimi dhe ndryshe nga Shqipëria, ku ditët e punës kanë shumë kafe brenda, ditët e punës këtu kanë pak kafe dhe plus kanë atë kafenë e tmerrshme amerikane që është një vuajtje më vete. Kështu që unë e kuptoj shumë mirë çfarë do të thotë që ju të kaloni dy-tre orë nga dita reale e pushimit për të dëgjuar muhabet Shqipërie, prandaj ju jam shumë, shumë mirënjohës, ju jam shumë, shumë falënderues.
Shpresoj që kur të vini në Shqipëri, kryepolici të na japë mundësi të takohemi, po edhe po s’na e dha, jam i bindur që ai do t’ju trajtojë më mirë se unë. Dhe dua të falënderoj në mënyrë të posaçme Xhemon, i cili ishte veshur sot si politikan amerikan edhe në krahasim me ty këtu unë jam si roja i hotelit, po unë uroj shumë që ai kostum Xhemo dhe ai kujdes që ke ti për pamjen të të japë sukses në politikën amerikane, se këtu pamjen e vlerësojnë shumë dhe nga ana tjetër, të falënderoj shumë për përkushtimin, për organizimin.
E di që këtu, bashkë me ty, janë edhe disa djem nga Ulqini, sepse e mora përpara informacionin.Më mori në telefon Dritani nga Mali i Zi, ish-kryeministri dhe miku im i shtrenjtë, i vetmi qytetar i botës në Ballkan, i cili më tha: Shiko, tha, se atje ku po shkon, tha, tek ajo “dallga” shqiptare, kujdes, tha, se ke dhe ca “shkumë” nga Ulqini.
Kështu që, shumë faleminderit, Xhem. Shumë faleminderit shokëve dhe miqve këtu.
Shumë faleminderit shoqatës që u bë shkak për këtë organizim kaq miqësor, kaq vëllazëror dhe ju e dini që unë e kam këtë problem, që unë mendoj që, në fund të ditës, burrat e Shqipërisë, edhe kaq sa bëjnë, e bëjnë vetëm se kanë mbas vetes gratë e Shqipërisë. Kështu që, nëse burrat e Shqipërisë kanë bërë budallëqe të mëdha, imagjinoni çfarë kishin bërë sikur mos të ishin dhe gratë. Prandaj dua t’i falënderoj të gjitha zonjat që janë këtu të pranishme, edhe t’u uroj çdo të mirë familjeve të tyre, të uroj çdo të mirë për fëmijët e tyre, të uroj më të mirën për burrat e tyre.Mbajini me kujdes. E di që janë të vështirë, por janë edhe të mirë kur duhet, edhe mos ua vini re kur bëjnë si të fortë, sepse në zemër dridhen nga frika juaj.
Shumë faleminderit!






