Policia e Vau të Dejës ka finalizuar operacionin e koduar “Monitorimi”, i zhvilluar në kuadër të luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike.
Gjatë kontrolleve intensive në territorin e fshatit Kroni i Madh, shërbimet e policisë konstatuan një numër të konsiderueshëm bimësh dhe fidanësh të dyshuar narkotikë Cannabis Sativa, të cilët u asgjësuan me anë të djegies, ndërsa një pjesë e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve operacionale, policia identifikoi, kapi dhe arrestoi dy persona, vëlla e motër, të dyshuar si autorë të kultivimit të bimëve narkotike. Në pranga ranë shtetasit Pal Pepaj, 33 vjeç, dhe Agetina Pepaj, 43 vjeçe, banues në fshatin Kroni i Madh.
Ndërkohë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, nisi procedimi në gjendje të lirë ndaj kryeplakut të fshatit Kroni i Madh, D.D., 51 vjeç, si dhe ndaj vrojtuesit të pyjeve, N.G., 56 vjeç.
Policia bën të ditur se kontrollet dhe monitorimet do të vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, me synim parandalimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.






