Ballina Aktualitet Goxhobelli: Mbi 28 mijë legalizime në 9 muaj, 4.2 milionë kartela pasurie...

Goxhobelli: Mbi 28 mijë legalizime në 9 muaj, 4.2 milionë kartela pasurie të digjitalizuara

Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka emetuar mbi 28 mijë vendime për legalizime gjatë 9 muajve të vitit 2026, më shumë se gjatë gjithë vitit 2025, ndërsa 4.2 milionë kartela pasurie janë digjitalizuar, në kuadër të procesit të modernizimit të shërbimeve të pronësisë.

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, deklaroi se puna intensive gjatë këtij viti synon përshpejtimin e procesit të legalizimeve dhe krijimin e një tregu më të shpejtë dhe transparent të pronës.

Sipas saj, digjitalizimi i 4.2 milionë kartelave të pasurisë përbën një nga prioritetet e procesit të modernizimit të Kadastrës dhe lidhet edhe me përmbushjen e angazhimeve në kuadër të integrimit europian.

Gjatë vitit 2026 ka nisur gjithashtu projekti kombëtar për digjitalizimin dhe gjeoreferencimin e 38 mijë hartave fizike, një proces që synon përmirësimin e administrimit të të dhënave kadastrale dhe lehtësimin e shërbimeve për qytetarët.

Regjistrimi fillestar ka arritur në 95,3% të territorit të vendit, ndërsa procesi i kalimit të tokës bujqësore në pronësi është shtrirë në 59 fshatra, me objekt trajtimin e rreth 1 mijë kërkesave.

Goxhobelli theksoi se përtej rezultateve të matshme, një tjetër ndryshim lidhet me mënyrën e komunikimit dhe shërbimit ndaj qytetarëve.

“Pak kohë më parë kemi nisur trajtimin derë më derë të banesave pa dokumentacion pronësie. Aktualisht ekipet e Kadastrës po punojnë në Himarë dhe do të vijojnë punën në zonat kadastrale, sipas nevojave që paraqiten”, tha ajo.

Sipas Goxhobellit, puna e deritanishme përbën vetëm një pjesë të rrugës drejt garantimit të pronësisë së ligjshme.

“Ajo që kemi bërë deri tani është vetëm një pjesë e rrugës që kemi përpara. Sfida është të çojmë pronësinë e ligjshme përpara. Puna vazhdon me objektiv: asnjë pronë pa dokument dhe asnjë person pa përgjigje”, deklaroi drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks