Reshjet e shiut dhe erërat e forta që kanë përfshirë gjatë natës Qarkun e Shkodrës kanë shkaktuar një sërë problematikash në disa bashki, ndërsa situata më e vështirë paraqitet në Fushë-Arrëz.
Sipas informacionit zyrtar të Prefekturës së Qarkut Shkodër, në Bashkinë Shkodër janë rrëzuar disa pemë si pasojë e erërave të forta, të cilat janë larguar nga shërbimet bashkiake. Ndërkohë, në Malësinë e Madhe dhe Vau të Dejës raportohen ndërprerje të furnizimit me energji elektrike.
Problematikat më të shumta janë evidentuar në Fushë-Arrëz, ku moti i keq ka shkaktuar dëmtime në çatinë e shkollës 9-vjeçare në Iballë, si dhe në disa banesa. Po ashtu, prurjet e ujërave, gurëve dhe dherave kanë dëmtuar disa rrugë rurale. Ndërprerje të energjisë elektrike raportohen pothuajse në të gjitha njësitë administrative të kësaj bashkie.
Ndërkohë, aksi Fushë-Arrëz–Bardhet, i cili u bllokua përkohësisht gjatë natës për shkak të rrëzimit të një peme, është bërë sërish i kalueshëm pas ndërhyrjes së shërbimeve bashkiake.
Probleme nga rënia e gurëve dhe prurjet e inerteve janë evidentuar edhe në akset Koplik–Bogë, Dedaj–Razëm dhe Bogë–Theth, ku po vijojnë punimet për pastrimin e rrugëve. Në Qafë Thore janë regjistruar reshje shiu të përziera me dëborë, por aksi vijon të jetë i kalueshëm.
Pavarësisht reshjeve, nivelet e ujit në lumenj dhe veprat ujore mbeten nën kuotat e rrezikut, ndërsa nuk raportohen problematika në veprat e ujitjes dhe kullimit.
Ekipet e OSHEE-së dhe strukturat përgjegjëse ndodhen në terren për riparimin e defekteve dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike.
Prefektura e Shkodrës bën me dije se po vijon monitorimin e situatës në bashkëpunim me bashkitë dhe institucionet përgjegjëse, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe ndërhyrjen në kohë në zonat e prekura.






