Zgjidhet ngërçi politik, Kosova zgjedh Presidentin e ri. Ajo është akademikja Justina Shiroka Pula, e cila mori 81 vota.
Votimi:
84 deputet te pranishem
81 vota pro Justina Shiroka Pula
2 vota te pavlefshme
1 vote Eliza Hoxha
Justina Shiroka Pula është ekonomiste dhe akademike, e cila ka ushtruar edhe funksione politike e institucionale.
Shiroka-Pula në vitin 2025 është zgjedhur kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), duke u bërë gruaja e parë që udhëheq këtë institucion, të themeluar në vitin 1975. Në këtë detyrë ajo pasoi akademikun Mehmet Kraja.
Ajo shkollimin fillor dhe të mesëm e ka përfunduar në Prishtinë, ndërsa në vitin 1976 ka diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.
Studimet pasuniversitare në fushën e teorisë dhe politikës së zhvillimit ekonomik i ka përfunduar në vitin 1984 në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Universitetit të Zagrebit.
Shiroka-Pula ka kryer doktoraturën në Universitetin e Prishtinës me tezën e doktoratës me titull “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.
Karrierën profesionale e ka nisur në Bankën Popullore të Kosovës, ndërsa në vitin 1978 ka filluar punën si ligjëruese në Fakultetin Ekonomik.
Sipas biografisë së publikuar nga ASHAK, ajo ka ndjekur edhe studime pasdoktorale në Universitetin e Linzit në Austri dhe në Universitetin e Arizonës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe ka kryer trajnime të ndryshme profesionale në universitete të ndryshme ndërkombëtare.
Pas përfundimit të luftës, Shiroka-Pula është angazhuar edhe në shoqërinë civile, kryesisht në fushën e fuqizimit të grave, barazisë gjinore, zhvillimit të bizneseve dhe ndërmarrësisë.
Në politikë, ajo ka shërbyer si ministre e Energjisë dhe Minierave të Kosovës nga viti 2008 deri në vitin 2011. Më pas, nga viti 2011 deri në vitin 2014, ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës.






