Hetimet për vrasjen e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, i cili u ekzekutua brenda sallës së gjyqit më 6 tetor të vitit të kaluar, vijojnë pa një përfundim, pasi organi i akuzës ende pret rezultatet e ekspertimit të telefonit celular të të dyshuarit kryesor, Elvis Shkambi. Sipas burimeve nga hetimi, në muajin prill prokuroria vendosi të zgjasë afatin e hetimeve edhe me tre muaj, me qëllim administrimin e provave që lidhen me analizën e celularëve të sekuestruar të Elvis Shkambit dhe xhaxhait të tij, Gjon Shkambi. Deri tani është përfunduar ekspertiza e telefonit të Gjon Shkambit, ndërsa analizimi i pajisjes së Elvis Shkambit nuk ka përfunduar ende. Për këtë arsye, prokurorët nuk kanë mbyllur dosjen hetimore, pasi presin të dhëna që mund të hedhin dritë mbi komunikimet dhe rrethanat që paraprinë krimin. Fokusi i hetimit mbetet verifikimi nëse vrasja ka qenë rezultat i një veprimi të organizuar mes xhaxhait dhe nipit. Gjon Shkambi ka deklaruar se nuk kishte dijeni për veprimet e Elvisit dhe ka mohuar çdo përfshirje në ngjarje. Megjithatë, prokuroria dyshon se ai mund të ketë pasur rol nxitës në kryerjen e krimit, ndaj po analizon komunikimet mes tyre, si edhe kontaktet me persona të tjerë që mund të kenë lidhje me çështjen. Astrit Kalaja, gjyqtar i Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, humbi jetën pasi u qëllua me tre plumba pasditen e 6 tetorit 2025, menjëherë pasi shpalli një vendim në lidhje me një konflikt pronësie ku ishte e përfshirë familja Shkambi në Shkodër. Pas ngjarjes, Elvis Shkambi u vetëdorëzua në polici dhe u arrestua, ndërsa më vonë në pranga përfundoi edhe xhaxhai i tij, Gjon Shkambi, ndaj të cilit vijojnë hetimet për rolin që mund të ketë pasur në organizimin e krimit.






