Gjykata e Posaçme e Apelit ka prishur vendimin e shkallës së parë për ish-shefin e operacionales Oltion Bistrin, pjesë e dosjes “Metamorfoza”, duke e dënuar përfundimisht me 11 vite burg, që për shkak të gjykimit të shkurtuar shkon në 7 vite e 4 muaj. Trupa gjykuese me relator Dhimitër Lara e anëtar Daniela Shirka dhe Engert Pëllumbi vendosën ta dënojnë edhe për pastrim parash e korrupsion pasiv.
Gjykata e shkallës së parë i kishte rrëzuar këto akuza dhe si rezultat Bistri u dënua me 3 vite burg, që me dënim të shkurtuar shkoi në 2 vite. Me vendimin e Apelit të Posaçëm, i konfiskohen 1 milion euro pasuri, 3 apartamente dhe 2 biznese, të cilat shkalla e parë më herët ia kishte kthyer.
Ndërkohë për Edmond Prekën, Astmer Bilalin dhe Behar Bajrin janë lënë në fuqi dënimet e shkallës së parë të Gjykatës së Posaçme. Ish-prokurori Xhevahir Lita u dënua me 5 vite burgim që me gjykim të shkurtuar zbriti në 3.4 vite. Ai u lirua njëkohësisht me Bistrin për shkak të shlyerjes së dënimit në paraburgim.
Oltion Bistri u arrestua më 27 korrik të vitit 2023, dhe qëndroi në qeli deri më 18 nëntor të vitit të kaluar, kur Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar urdhëroi lirimin e menjëhershëm, pas dënimit të tij vetëm për akuzën e “zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete”.
Edmond Preka 10 vite burg, me gjykim të shkurtuar zbret në 7 vite, burg i sigurisë së lartë
Behar Brajovic (Bajri) 13 vite burg me gjykim të shkurtuar zbret në 8.8 vite, burg i sigurisë së lartë
Astmer Bilali 8 vite e 6 muaj, 5.8 vite me gjykim te shkurtuar, burg i sigurisë së lartë






