Ballina Aktualitet Demo vizitë tek IdentiTek: Ulje të tarifave për dokumentet e identitetit për...

Demo vizitë tek IdentiTek: Ulje të tarifave për dokumentet e identitetit për kategoritë në nevojë, shërbim më i thjeshtë e afër qytetarit

 

Tarifat e dokumenteve të identitetit për kategori të caktuara të qytetarëve, që kanë më shumë nevojë për mbështetje, do të ulen. Gjatë vizitës në ambientet e IdentiTek, ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, u njoh nga afër me procesin e prodhimit dhe ofrimit të dokumenteve të identitetit, e theksoi se përmirësimi i shërbimit duhet të shoqërohet edhe me reduktimin e kostove për qytetarët, veçanërisht për kategoritë që kanë nevojë për mbështetje.

“Kemi nisur punën për uljen e tarifave të dokumenteve të identitetit për kategori të caktuara që kanë më shumë nevojë për mbështetje”, u shpreh ministri Demo, duke e cilësuar këtë një angazhim konkret në funksion të qytetarit.

Paralelisht, Ministria e Punëve të Brendshme dhe IdentiTek po punojnë për një shërbim më të shpejtë, më të thjeshtë dhe më të aksesueshëm. Procedura e zakonshme për pajisjen me dokument identiteti realizohet brenda 10 ditëve pune, ndërsa ajo e përshpejtuar brenda 3 ditëve pune.

Në fokus është edhe zgjerimi i shërbimeve online, përmes blerjes së kuponit dhe gjurmimit të dokumentit online, si dhe ofrimi i shërbimit në banesë ose në spital për qytetarët me vështirësi në lëvizje, brenda dhe jashtë vendit.

Po zgjerohet gjithashtu ofrimi i shërbimeve për shqiptarët jashtë vendit, përmes misioneve të posaçme në zona ku ka përqendrim të komunitetit shqiptar, por nuk ka shërbime konsullore, ndërsa puna do të vijojë edhe për zgjerimin e shërbimeve në vende të tjera në Azi dhe Australi.

Një tjetër prioritet është modernizimi teknologjik dhe rritja e standardeve të sigurisë. Në bashkëpunim me AKSHI-n dhe AKSK-në po punohet për realizimin e Letërnjoftimit Digjital, ndërsa po zhvillohet teknologjia për pasaportën e së ardhmes, me objektiv standardet e vitit 2030.

“Çdo përmirësim që bëjmë këtu duhet të përkthehet në diçka konkrete për qytetarin, më pak kohë, më pak kosto dhe më shumë shërbim”, u shpreh ministri Demo.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks