Kreu i Partisë Demokratike në Shkodër, Ardit Çylybyli, ka ngritur shqetësimin për gjendjen e infrastrukturës në zonën e Pultit, në Dukagjin, ku banorët përballen çdo ditë me vështirësi serioze për shkak të amortizimit të urës që lidh zonën me pjesën tjetër të territorit. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Çylybyli ka publikuar një denoncim qytetar, ku shfaqet gjendja e rëndë e urës, me dërrasa të thyera dhe të kalbura, duke e cilësuar kalimin mbi të si një rrezik të vazhdueshëm për jetën e banorëve.
Statusi i plotë:
Ky denoncim qytetar flet më shumë se asgjë dhe është dëshmia se si Bashkia Shkodër e ka jashtë kontrolli territorin. Banorët në zonën e Pultit, në Dukagjin rrezikojnë çdo ditë jetën, pasi u duhet të kalojnë mbi një urë të amortizuar, me dërrasa të thyera e të kalbura. Në vend që të shërbente si lidhje mes njerëzve, ajo është kthyer në rrezik serioz për jetën e tyre.
Fëmijë, të moshuar dhe familje të tëra detyrohen të përballen me kushte të papranueshme për të kryer nevojat më elementare të përditshmërisë.
Deri në këtë pikë ka arritur braktisja, sa një banor është detyruar të rrezikojë jetën duke kaluar lumin me automjet, vetëm për të siguruar bukë për fëmijët e familjes së tij. Pra, qytetarët paguajnë taksa, por për të siguruar mbijetesën dhe lidhjen me pjesën tjetër të territorit duhet të mbështeten vetëm te forcat e tyre.
E turpshme mospërfillja dhe heshtja nga Bashkia Shkodër! Nuk mund të flitet për zhvillim, turizëm dhe investime, ndërkohë që banorët e Dukagjinit rrezikojnë jetën për të kaluar një lumë apo për të siguruar bukën e fëmijëve të tyre. Dukagjini meriton vëmendje, dinjitet dhe investime reale, jo fasada, propagandë dhe mashtrime që prej 3 vitesh po bën bashkia Shkodër dhe prej 14 vitesh qeveria e krimit rilindas.






