Ballina Aktualitet Reshjet e shiut në Shkodër, dëmtohet një urë në Shalë dhe raportohen...

Reshjet e shiut në Shkodër, dëmtohet një urë në Shalë dhe raportohen rrëshqitje dherash në Fushë-Arrëz

Situata e reshjeve të shiut në Qarkun Shkodër paraqitet përgjithësisht e qëndrueshme, pavarësisht reshjeve të regjistruara gjatë 24 orëve të fundit, të cilat kanë arritur në rreth 65 mm.

Problematikat e para janë evidentuar në Bashkinë Shkodër, ku si pasojë e rritjes së prurjeve të përrenjve është dëmtuar ura në Grykën e Nërshqemit, në fshatin Breg Lumi, Njësia Administrative Shalë.

Ndërkohë, në Bashkinë Fushë-Arrëz janë raportuar rënie gurësh dhe rrëshqitje dherash në disa akse rurale. Strukturat përgjegjëse janë angazhuar për pastrimin e zonave të prekura dhe normalizimin e qarkullimit.

Në bashkitë Malësi e Madhe dhe Vau i Dejës nuk raportohen problematika.

Sipas informacionit të Prefekturës së Qarkut Shkodër, nivelet e lumit Drin dhe të liqenit vijojnë të jenë nën kuotat e riskut, ndërsa hidrovorët janë funksionalë dhe në gatishmëri.

Prefektura po vijon monitorimin e pandërprerë të situatës dhe koordinimin me bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe ndërhyrjen në kohë në rast nevoje.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, veçanërisht në zonat malore dhe në akset rrugore ku janë evidentuar rrëshqitje dherash.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks