Sektori i blegtorisë në Shqipëri po përballet me një rënie të vazhdueshme, duke reflektuar tkurrjen e numrit të bagëtive dhe uljen e prodhimit vendas. Të dhënat më të fundit tregojnë se në vitin 2025 numri i përgjithshëm i bagëtive zbriti në rreth 2.1 milionë krerë, afro 83 mijë më pak krahasuar me një vit më parë.
Sipas statistikave zyrtare të INSTAT-it, kjo rënie lidhet kryesisht me zvogëlimin e tufave të deleve dhe dhive, ndërsa numri i gjedhëve ka shënuar një rritje të lehtë.
Edhe prodhimi i qumështit ka vijuar trendin rënës, duke arritur nivelin më të ulët të dekadës. Gjatë vitit 2025 u prodhuan rreth 868 mijë tonë qumësht, çka tregon një tkurrje të ndjeshme të kapaciteteve vendase. Si pasojë, vendi është mbështetur më shumë te importet. Sipas të dhënave të Doganave, gjatë vitit të kaluar u importuan mbi 8 mijë tonë qumësht, kryesisht nga Serbia, Greqia, Sllovakia, Gjermania, Kosova dhe Hungaria.
Nga ana tjetër, prodhimi i mishit ka shënuar një rritje të vogël, duke kaluar nga 130 mijë tonë në vitin 2024 në 134 mijë tonë në vitin 2025. Megjithatë, kjo sasi nuk ka qenë e mjaftueshme për të përmbushur kërkesën e tregut vendas, ndaj janë importuar rreth 45 mijë tonë mish.
Ekspertët e lidhin krizën e blegtorisë me disa faktorë, ku më i rëndësishmi mbetet largimi i popullsisë nga zonat rurale drejt qyteteve ose emigrimi jashtë vendit. Gjithashtu, mungesa e investimeve dhe e mbështetjes financiare ka kufizuar mundësinë e fermerëve për të shtuar tufat dhe për të zhvilluar aktivitetin e tyre.
Përballë kësaj situate, qeveria ka vendosur që nëpërmjet skemës kombëtare të mbështetjes të orientojë më shumë fonde drejt blegtorisë, duke i dhënë përparësi këtij sektori krahasuar me bujqësinë.






