Disa vatra zjarri kanë qënë prezente në qarkun Shkodër gjatë natës dhe që vijojnë të jenë aktive edhe mëngjesin e së enjtes. Në Malësi të Madhe vatër zjarri ka patur në Gjorm të Siperm. Dy zjarrfikse dhe 10 efektivë kanë punuar në terren per lokalizimin e flakëve, nuk ka rrezik për banesat.
Situata e zjarreve në territorin e Bashkisë Pukë vijon të monitorohet dhe menaxhohet nga strukturat vendore dhe qendrore, në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC) dhe me mbështetjen e Institucionit të Prefektit të Qarkut Shkodër.
Vatrat kryesore të zjarrit ndodhen në zonat e Malit të Tërbunit, Gojanit dhe Gjegjanit. Në Malin e Tërbunit, situata paraqitet aktualisht nën kontroll, ndërsa forcat tokësore vijojnë monitorimin dhe punën për eliminimin e vatrave të mbetura.
Ndërkohë, situata në aksin Gojan i Vogël – Gojan i Madh – Gjegjan mbetet dinamike për shkak të erës së fortë. Autoritetet bëjnë me dije se, deri tani, zjarri nuk ka avancuar në drejtim të banesave.
Operacioni në terren po mbështetet edhe nga ajri, ku prej tre ditësh dy helikopterë po ndërhyjnë pa ndërprerje në zonat më problematike, duke ndihmuar në frenimin e përhapjes së flakëve.
Në terren janë angazhuar dhjetëra forca dhe mjete nga disa institucione. Konkretisht, në operacion marrin pjesë 3 mjete zjarrfikëse dhe 15 efektivë nga Bashkia Pukë, 1 mjet zjarrfikës dhe 7 efektivë nga Bashkia Fushë-Arrëz, si dhe 1 mjet zjarrfikës dhe 3 efektivë nga Bashkia Shkodër.
Në operacion janë angazhuar gjithashtu rreth 50 forca bashkiake, 40 efektivë të Forcave të Armatosura, efektivë të Policisë së Shtetit dhe 50 vullnetarë.
Forcat operacionale janë shpërndarë në disa drejtime, me fokus të veçantë në Gojanin e Madh, Gojanin e Vogël dhe Gjegjanin, me qëllim kufizimin e përhapjes së zjarrit dhe mbrojtjen e zonave të banuara.
Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër vijon koordinimin dhe monitorimin e situatës pa ndërprerje. Prioriteti i strukturave në terren mbetet mbrojtja e jetës së banorëve, e banesave dhe vënia e plotë nën kontroll e të gjitha vatrave aktive.






