Ballina Aktualitet Policia rrugore intensifikon kontrollet në qarkun e Shkodrës / 1,253 masa administrative...

Policia rrugore intensifikon kontrollet në qarkun e Shkodrës / 1,253 masa administrative në një javë, 1 arrestim dhe 5 procedime penale për drejtim të parregullt të automjeteve

Policia Rrugore e Shkodrës ka intensifikuar monitorimet dhe kontrollet në të gjitha akset e qarkut, me fokus parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë rrugore. Gjatë një jave, kontrollet janë përqendruar në evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit, veçanërisht për drejtimin e automjetit nën efektin e alkoolit, drejtimin pa leje, parakalimet e gabuara, tejkalimin e shpejtësisë, përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit, si dhe mosvendosjen e rripit të sigurimit apo kaskës mbrojtëse. Si rezultat i kontrolleve, është arrestuar në flagrancë një person, ndërsa 5 të tjerë janë proceduar penalisht për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Në total, Policia Rrugore ka vendosur 1,253 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. Nga këto, 317 masa janë vendosur për tejkalim të normave të shpejtësisë, ndërsa 482 masa për parkim ose qëndrim të gabuar. Po gjatë kësaj periudhe janë evidentuar 47 parakalime të gabuara, 6 raste të drejtimit të mjetit nën ndikimin e pijeve alkoolike, si dhe 6 raste të përdorimit të celularit gjatë drejtimit të automjetit. Kontrollet kanë evidentuar gjithashtu 23 drejtues që nuk kishin vendosur rripin e  sigurimit, 39 raste të mosvendosjes së kaskës mbrojtëse dhe 6 raste të qarkullimit me xhama të errësuar. Pjesa tjetër e masave, gjithsej 327, lidhen me shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor. Policia Rrugore e Shkodrës njofton se kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset urbane, interurbane dhe rurale të qarkut, me qëllim parandalimin e aksidenteve, evidentimin e shkeljeve dhe rritjen e sigurisë në rrugë. Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe të tregojnë kujdes të shtuar ndaj të gjithë përdoruesve të rrugës. Për çdo shkelje të rregullave të qarkullimit, qytetarët ftohen të denoncojnë në numrin pa pagesë 112.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks