Ballina Aktualitet Spahia: Ta bësh lajm që 400 të huaj paskan ‘zgjedhur’ QSUT-në për...

Spahia: Ta bësh lajm që 400 të huaj paskan ‘zgjedhur’ QSUT-në për trajtim se ‘kanë besim te shëndetësia shqiptare’, është me të vërtetë degradimi total i propagandës

Deputeti i PD-së, Bardh Spahia ka reaguar ndaj lajmeve të ministrisë së Shëndetësisë, së 400 qytetarë të huaj paskan ‘zgjedhur’ trajtimin në QSUT, për shkak se ‘kanë besim tek shëndetësia shqiptare’.
Sipas tij, ky është degradim total i propagandës së neveritshme që ka prekur fundit.

Reagimi i deputetit të PD, Bardh Spahia:

Ta bësh lajm faktin që 400 të huaj paskan ‘zgjedhur’ QSUT-në për trajtim duke pretenduar që automatikisht do të thotë që ‘kanë besim te shëndetësia shqiptare’, është me të vërtetë degradimi total i propagandës së neveritshme që tashmë ka prekur fundin. Të tallesh deri në këtë pikë me shqiptarët është papërgjegjshmëri kriminale.
Nuk ka shqiptar që nuk e di se spitalet janë kthyer në skena lufte për mbijetesë, ku mungon çdo gjë. Ku mjekët bëjnë aq sa munden në kushte të paimagjinueshme nga kolegët e vendeve të tjera, qoftë edhe ato të vendeve fqinje. Ku pacientët dhe familjarët vrapojnë çdo ditë për të blerë nga xhepi i tyre ilaçe, vegla e paisje nga më të ndryshmet sepse spitali nuk i ka.
Nuk ka shqiptar që kur i bie një hall shëndetësor nuk synon të gjejë një mënyrë për të ikur jashtë.
E pra zonja ministre mbase këta ‘400 të huaj’ nuk kanë ardhur vetëm për t’u kuruar, por edhe për të provuar adrenalinën e gjetjes së një shiringe, një vigoni, një ilaçi, një proteze apo një pako pambuku në mes të natës, duke vrapuar nëpër farmacitë private rreth e qark spitalit.
Ndoshta janë të interesuar të shohin aparatura që nuk funksionojnë dhe mbahen si relike të një kohe të harruar, pasi fondet për pajisje të reja kanë avulluar me kohë në xhepat e qeveritarëve.
Me siguri kanë ‘zgjedhur’ të vijnë brenda datës 20 të çdo muaji se përndryshe nuk do mund të bënin dot asnjë analizë.
Mbase duan të studiojnë fenomenin se si shërohen pacientët vetëm me optimizëm apo siç thotë populli ‘me frymën e shenjtë’, sepse ilaçet ekzistojnë me bollëk vetëm në letrat e tenderave, por kurrë në raftet e pavioneve.
Është vërtet tragjikomike të dëgjosh fjalime pompoze për ‘besim’ dhe ‘sukses’ nga zyrtarët qeveritar, kur qytetari i thjeshtë shqiptar e di shumë mirë realitetin e hidhur. Buxheti vidhet, tenderat përqendrohen, sekretohen apo fryhen, dhe në QSUT duhet të hysh me listën e pazarit në dorë për të blerë vetë gjithçka para një operacioni.
Të paktën, me këtë deklaratë, zonja ministre na vërtetoi një gjë: teksa në spitalet tona mungojnë ilaçet dhe pajisjet, të paktën fantazia qeveritare për të prodhuar përralla vazhdon të jetë në gjendje të shkëlqyer!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks