Policia e Shkodrës ka vijuar operacionin e koduar “Territor i Pastër”, duke goditur dy raste të kultivimit të bimëve narkotike në fshatrat Ndrejaj dhe Vukël.
Gjatë kontrolleve në fshatin Ndrejaj, njësia administrative Shosh, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër zbuluan 768 bimë të dyshuara cannabis sativa. Në flagrancë u arrestua 53-vjeçari Pllumb Mollzati, i cili u kap në parcelën ku dyshohet se kishte kultivuar bimët narkotike. Në afërsi të banesës së tij u sekuestruan gjithashtu 80 kubikë të dyshuar me fidanë cannabis sativa.
Ndërkohë, në fshatin Vukël të njësisë administrative Kelmend, efektivët e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe konstatuan 1.250 bimë të dyshuara cannabis sativa. Në afërsi të parcelës u arrestua në flagrancë Ardjan Çekaj, 52 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Po ashtu, nisi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj kryeplakut të fshatit Vukël, K. B., 65 vjeç.
Në total, gjatë operacionit u asgjësuan me anë të djegies 2.098 bimë dhe fidanë kanabisi.
Policia bën të ditur se kontrollet do të vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, në kuadër të masave për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.






