
Dy punonjës të Policisë së Shtetit shqiptar po kryejnë shërbim në qytetin e Firences, në Itali, në kuadër të programit të bashkëpunimit ndërkombëtar për garantimin e sigurisë gjatë sezonit veror.
Efektivët shqiptarë janë pritur nga Drejtori i Policisë së Provincës së Firences, Fausto Lamparelli, i cili u ka uruar mirëseardhjen dhe punë të mbarë në këtë mision të përbashkët. Prej disa ditësh, ata po patrullojnë së bashku me kolegët e Policisë Italiane në qendrën historike të Firences, në linjat e tramvajit dhe në shërbimet e rendit publik që zhvillohen në qytet.
Prania e policëve shqiptarë në Itali vlerësohet si një tjetër dëshmi e bashkëpunimit të ngushtë dhe efektiv mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve italiane të sigurisë. Ky partneritet synon rritjen e standardeve të sigurisë publike, si dhe forcimin e masave parandaluese në zonat me fluks të lartë turistësh gjatë muajve të verës.
Nisma është pjesë e një marrëveshjeje të përhershme mes dy vendeve, e cila prej vitesh mundëson zhvillimin e patrullimeve dhe shërbimeve të përbashkëta policore në Shqipëri dhe Itali. Bashkëpunimi synon garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe reagimin e koordinuar ndaj çdo situate që mund të cenojë qetësinë dhe sigurinë e qytetarëve dhe vizitorëve.





