𝐌𝐔𝐙𝐄𝐔 𝐌𝐀𝐑𝐔𝐁𝐈 𝐍Ë 𝐍𝐉Ë 𝐃𝐄𝐊𝐀𝐃Ë ✨📸
Sot, më 9 Maj, përkujtojmë dhjetëvjetorin e inaugurimit të Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”. Në Ditën e Europës, një dekadë më parë, hapi dyert një institucion që nuk u mendua vetëm si hapësirë ruajtjeje e imazhit, por si një vend ku fotografia do të vazhdonte të jetonte si kujtesë, dëshmi historike dhe formë reflektimi mbi shoqërinë.
Kjo datë përkon edhe me ditëlindjen e Gegë Marubit, fotografit të fundit të Dinastisë Marubi, falë të cilit u shpëtuan dhe u ruajtën përjetësisht koleksionet e fotografëve të Shkodrës, themeli i arealit të fotografisë shqiptare.
Në këto dhjetë vite, Muzeu “Marubi” është shndërruar në një hapësirë dialogu ndërmjet historisë dhe së tashmes, ndërmjet arkivit dhe interpretimit bashkëkohor. Përmes rreth 40 ekspozitave, mbi 60 bisedave, konferencave e tureve, si dhe afro 200 punëtorive dhe masterklasave të edukimit, muzeu ka ndërtuar një marrëdhënie të re me fotografinë dhe publikun.
Paralelisht me aktivitetin publik, puna mbi arkivin ka qenë një nga dimensionet më të rëndësishme të institucionit. Nëse para dhjetë vitesh arkiva numëronte rreth 493.823 negativë, sot ajo i afrohet 542.823 fotografive, ndërsa rreth 80% e fondit është konservuar, duke garantuar ruajtjen e kësaj kujtese vizuale për brezat që vijnë.
Në vetëm një dekadë, Muzeu “Marubi” arriti të afirmohej edhe ndërkombëtarisht: në vitin 2017 u përzgjodh në listën e ngushtë për European Museum of the Year Award, ndërsa në vitin 2025 arkivi i tij u regjistrua në Regjistrin Ndërkombëtar “Memory of the World” të UNESCO-s.
Në vijim të këtij vizioni për pasurimin dhe riaktivizimin e arkivës, Muzeu “Marubi” do ta shënojë këtë dekadë me një ekspozitë kushtuar fotografit shqiptaro-amerikan Gjon Mili, duke e sjellë për herë të parë në Shkodër koleksionin e tij origjinal nga New York-u.
Dhjetë vite më pas, Muzeu “Marubi” mbetet jo vetëm një institucion i kujtesës, por një vend ku arkivi vazhdon të dialogojë me kohën tonë.






