Ballina Kulture “Zëri që sfidoi kohën”, TKOBAP koncert homazh në 100-vjetorin e lindjes së...

“Zëri që sfidoi kohën”, TKOBAP koncert homazh në 100-vjetorin e lindjes së Lukë Kaçajt

Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor i kushtoi një mbrëmje homazh një prej figurave më të mëdha të muzikës klasike në Shqipëri, Lukë Kaçaj.

Në 100-vjetorin e lindjes, figura e bass-i Lukë Kaçaj, një zë që vazhdon të jehojë përtej kohës u përkujtua përmes kujtimeve, muzikës dhe homazhit.

Mbrëmja në nderim të figurës dhe trashëgimisë artistike të bas-baritonit të shquar shqiptar u çel nga Kori i Zërave të Bardhë i TKOBAP-së me interpretimin e “Ave Maria” nga opera Cavalleria Rusticana, duke krijuar një atmosferë solemne dhe emocionuese,

Gjatë kësaj mbrëmje u interpretuan rolet më të rëndësishme të karrierës së tij.

Kaçaj me zërin e tij të jashtëzakonshëm la gjurmë të pashlyeshme në historinë e operës shqiptare.

I njohur si “Shaljapini shqiptar”, Lukë Kaçaj nuk ishte vetëm një bas-bariton me përmasa të rralla artistike, por edhe një njeri që përballoi me dinjitet sprova të mëdha jetësore.

Talentit të tij të jashtëzakonshëm iu desh të përballej me periudha të vështira, por as koha dhe as sfidat nuk mundën të zbehin trashëgiminë që ai i la kulturës shqiptare.

Ai ka interpretuar role që mbetën në historinë e artit shqiptar, si Don Bazilio te “Berberi i Seviljes”, Gjini te “Mrika”, Aleko dhe Sparafuçile.

“Ka qenë një nga zërat më të bukur që ka nxjerrë Shqipëria, një artist që mund të konkurronte denjësisht në skenat europiane”, është shprehur drejtuesi i orkestrës së TKOB-it, Elton Katroshi.

Lukë Kaçaj lindi më 24 shkurt të vitit 1924 në Bajzë të Malësisë së Madhe. Kur ishte 9 vjeç, hyn në Kolegjin Françeskan në Shkodër dhe më pas studion në Liceun “Illyricum“, ku kishte mësues Gjergj Fishtën, At Martin Gjokën e, më vonë, At Filip Mazrrekun. Më 1947 pranohet në orkestrën e Radio Tiranës, por pas dy muajsh pushohet nga puna si “ish-nxënës i françeskanëve” dhe dërgohet hamall në ndërtimin e kombinatit në Yzberisht.

Në vitet 1947-1950, punon në Korin e Përgjithshëm të Shtetit dhe në Ansamblin e Ushtrisë si solist dhe si korist. Në vitin 1953, në Festivalin e Dytë të Rinisë që u mbajt në Bukuresht, me interpretimin e aries së Filipit nga opera “Don Karlos” e Verdit, Kaçaj fitoi çmimin e dytë ndërkombëtar të Festivalit.

Në vitet 1951-1955 kryen studimet e larta për kanto pranë Konservatorit “P. I. Çajkovski” në Moskë. Në vitin 1955, në konkurrimin e teatrit “Balshoj” të Moskës,  renditet ndër 4 fituesit, ndërmjet 170 këngëtarëve, duke lënë pas vetes këngëtarë nga e gjithë bota. Nuk pranon ofertën për të qëndruar në Bashkimin Sovjetik, ofertë që iu përsërit edhe herë të tjera, në shtete të ndryshme. Kthehet në Shqipëri dhe që atë vit emërohet solist në TOB, ku realizoi role të paharruara nga operat shqiptare dhe botërore.

Për merita të veçanta në fushën e interpretimit dhe të propagandimit të artit shqiptar, Lukë Kaçaj, 36-vjeçar, u nderua me titullin “Artist i Merituar”.

Në vitin 1966, i ndalohet e drejta e skenës, si një paralajmërim për çfarë do të ndodhte më vonë. Emërohet pedagog i kantos në Institutin e Lartë të Arteve. Më 21 gusht 1973, Gjykata e Tiranës e deklaroi fajtor  për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor” dhe e dënoi me 5 vjet heqje lirie.

U lirua në vitin 1978 dhe deri sa doli në pension punoi si hamall te magazina e fruta-perimeve, te Pazari i Ri në Tiranë. U nda nga jeta më 7 shtator 2001 në spitalin civil të Shkodrës, qyteti ku jetoi vitet e fundit të jetës.

Pas vdekjes, në vitin 2003, Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu i akordoi titullin “Mjeshtër i Madh i Punës“ dhe në vitin 2009, Presidenti i Republikës, Bamir Topi i akordoi Urdhrin “Nderi i Kombit”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks