Një operacion i gjerë i Policisë së Shkodrës ka çuar në zbulimin e një call center-i të dyshuar për veprimtari të paligjshme në lagjen “Vasil Shanto”. Aksioni, i koduar “Network”, u zhvillua pas një hetimi të koordinuar me Prokurorinë dhe strukturat e specializuara për hetimin e krimeve ekonomike.
Gjatë ndërhyrjes, policia arrestoi në flagrancë katër persona, të cilët dyshohet se organizonin dhe drejtonin aktivitetin e mashtrimit kompjuterik. Në pranga ranë administratori i subjektit, F.P., 37 vjeç, banues në Bajzë, si dhe tre shtetas të tjerë nga Shkodra, L.M., 43 vjeç, B.N., 41 vjeç dhe N.B., 42 vjeç.
Sipas hetimeve paraprake, katër të arrestuarit koordinonin funksionimin e call center-it dhe menaxhonin grupet e punonjësve që dyshohet se përdoreshin për realizimin e mashtrimeve nëpërmjet sistemeve kompjuterike.
Në momentin e operacionit, në ambientet e subjektit u konstatuan duke ushtruar aktivitetin 61 punonjës, ndaj të cilëve ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë.
Kontrollet e zhvilluara nga efektivët çuan në sekuestrimin e 152 pajisjeve elektronike, mes tyre kompjuterë, laptopë dhe pajisje të tjera që dyshohet se përdoreshin për kryerjen e aktivitetit të paligjshëm. Gjithashtu u sekuestrua një shumë parash dhe materiale të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.
Policia bën me dije se operacioni është rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me strukturat homologe të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, e cila po vijon veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje.






