Ka rënë në prangat e policisë në Malin e Zi Besnik Kolndreu i akuzuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit” lidhur me ngjarjen e 26 prillit 2026 ku mbetën të vrarë çifti i bashkëshortëve Kreshnik dhe Gentiana Mujeci në fshatin Balldren. Kolndreu ka fshehur në banesën e tij automjetin e përdorur nga autorët në krim.
Njoftim: Policia e Shtetit
Falë informacionit të siguruar nga Policia e Shtetit për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, si dhe shkëmbimit në kohë reale të informacionit me autoritetet policore malazeze, Policia e Malit të Zi lokalizoi dhe kapi në Ulqin një shtetas të kërkuar në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 26.04.2026, në fshatin Balldren.
Menjëherë pas kapjes, shtetasi u deportua në Pikën e Kalimit Kufitar Muriqan, ku iu dorëzua shërbimeve të Policisë Kufitare shqiptare dhe më pas u shoqërua nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë.
Në vijim të veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve Kundër Personit në DVP Lezhë, u bë ndalimi i shtetasit B. K., 40 vjeç, banues në fshatin Torovicë, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në bashkëpunim.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në zbatim të vendimit të Gjykatës së Lezhës, e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, në kuadër të hetimeve për ngjarjen e ndodhur më datë 26.04.2026, në fshatin Balldren, ku u vranë me armë zjarri shtetasit K. M. dhe G. M., bashkëshortë.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasi B. K. dyshohet se ka ndihmuar autorët e kësaj ngjarjeje, duke fshehur në banesën e tij automjetin e përdorur prej tyre pas kryerjes së krimit. Automjeti u gjet dhe u sekuestrua nga shërbimet e Policisë gjatë kontrolleve të kryera në kuadër të hetimeve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme procedurale.






