Ballina Analiza dhe Komente Turizëm me tuba, hidrocentralet kërcënojnë lumin e Cemit në Malësi të Madhe!

Turizëm me tuba, hidrocentralet kërcënojnë lumin e Cemit në Malësi të Madhe!

{"data":{"os":"ios","activityName":"","enter_from":"enter_launch","pictureId":"57B1F47B-EC73-4807-8C70-490B8FD35ADD","stickerId":"","appversion":"8.6.0","product":"hypic","infoStickerId":"","imageEffectId":"","filterId":"","playId":""},"source_type":"hypic","tiktok_developers_3p_anchor_params":"{"capability_extra_v2":{},"client_key":"awgvo7gzpeas2ho6","capability_key":[],"template_id":"","filter_id":[]}"}

Lumi i Cemit, një prej lumenjve më të çmuar të Alpeve, uji i të cilit ka ushqyer jetën dhe shpresën e banorëve për zhvillimin e turizmit, rrezikon të devijohet dhe të futet në tuba nga disa projekte hidrocentralesh. Aktualisht, tre projekte janë konkretizuar përgjatë viteve 2017-2022. Një i katërt është kundërshtuar nga banorët, ndërsa në tavolinë po diskutohen edhe gjashtë të tjerë. Përballë këtij presioni, komuniteti lokal vuan mungesën e energjisë elektrike, rrugë të pakalueshme dhe një zhvillim që duket se po e shpërfill.

Dy realitete përgjatë të njëjtit lumë

Temperaturat në luginën e Cemit ishin rritur që mesin e muajit prill dhe grupet e para të turistëve kishin nisur të kërkonin freskinë e maleve. Por në Tamarë dhe përtej – rreth 170 kilometra në veri të Tiranës – banorët tregojnë se energjia elektrike ndërpritet shpesh, madje edhe në mes të sezonit.

Ndërprerjet ndodhin pa paralajmërim, në disa raste për orë të tëra. Një zonë që prej vitesh promovohet si destinacion me veçanësi turistike nuk ka ende furnizim të rregullt me energji elektrike. Zgjidhja mbetet gjeneratori.

Megjithatë, optimizmi i banorëve vijon të jetë njësoj. Në restorantin ku bujtëm në qendër të Tamarës, tavolina ishte plot, megjithëse, sipas një prej vajzave që shërbenin, shumica e produkteve ishin konsumuar gjatë fundjavës së Pashkëve.

Por rreth 10 kilometra më tutje, në drejtim të Vuklit dhe Nikçit, atmosfera ndryshonte krejtësisht. Kjo zonë me një peizazh fantastik, ndahet vetëm nga një mal prej luginës së Thethit, njohur ndërkombëtarisht, bashkë me Valbonën si dy nga pikat kryesore të turizmit në Alpe.

Asfalti përfundonte menjëherë pas kthesës së parë. Gurë, gropa, rrëshqitje masive dhe asnjë makinë në horizont. Në disa segmente, kalimi bëhej i pamundur për veturat. Gurë të mëdhenj, çakull dhe ndërhyrje të papërfunduara e kthenin udhëtimin në një sprovë të rrezikshme.

Një projekt prej 1.5 milionë eurosh, i nisur në maj 2024 dhe i marrë përsipër nga kompania “Vëllezërit Hysa”, dukej i braktisur. Ai parashikohej të përfundonte në nëntor 2024, por sot, rreth dy vite nga ajo periudhë, kantieri nuk ka më asnjë gjurmë aktiviteti.

Mes këtyre dy realiteteve, errësirës në një zonë me hidrocentrale dhe izolimit në një zonë që pret zhvillim, rrjedhin pikërisht dy degët e Lumit të Cemit.

Dy “rrjedha” konfliktesh

Cemi buron në lartësitë alpine të Kelmendit në Malësi të Madhe dhe bashkohet në Tamarë, aty ku Cemi i Vuklit dhe ai i Selcës formojnë një rrjedhë të vetme që vazhdon drejt Malit të Zi.

Për dekada, izolimi i zonës e ka mbrojtur lumin nga ndërhyrjet e mëdha urbane dhe industriale. Por pas vitit 2017, kjo paprekshmëri është vënë seriozisht në diskutim.

Vetëm 1.5 kilometra larg Tamarës, në drejtim të Selcës në veri, lumi zhdukej nga syri për shkak të hidrocentralit “HEC Murasi”. Rreth 6 kilometra më tutje, “HEC Dobrinjë” dhe “HEC Selca” e devijonin një pjesë të rrjedhës në tuba.

Besjana Guri, drejtuese e qendrës LUMI dhe fituese e çmimit mjedisor “Goldman” për fushatën e mbrojtjes së Vjosës, tregoi se 5 kilometra përtej, mes fshatrave Mreg dhe Ostriç, banorët kanë qenë kundër “HEC Vriela,” por nuk përjashtohet mundësia për ta zhvilluar edhe këtë projekt.

Në letër, këto katër hidrocentrale kanë një kapacitet të vogël, rreth 7-8 MW. Megjithatë, ato lidhen me një rrjet më të gjerë interesash, pasi sipërmarrësit e tyre, janë të përfshirë në ortakëri me ndërmarrje të tjera energjetike si “United Energji” dhe “Miculi Energji”.

Ndërkohë, në degën e Vuklit në jug të Kelmendit, projektet mund të ndalen ende.

Tre hidrocentrale të tjera, pjesë e kompleksit “Ura e Tamarës”, janë propozuar nga kompania “Tamara Hydro Energy” – pjesë e grupit “Albavia,” e njohur si kontraktore e madhe e veprave publike në infrastrukturë – mes Kozhinjës dhe Vuklit. Projekti parashikon një kapacitet prodhues prej rreth 19 MW dhe devijimin e rreth 14.4 m³ ujë në sekondë, duke lënë më pak se 2 m³ ujë si rrjedhë ekologjike.

Në praktikë, sipas aktivistes mjedisore Besjana Guri, kjo do të thotë se segmente të tëra të lumit do të mbeten thuajse të thata gjatë periudhave pa reshje.

Sipas saj projekti është problematik pasi zona e Vuklit është pjesë edhe e Parkut Kombëtar të Alpeve. Ndërsa së fundmi kompania “Tamara Hydro Energy” ka marrë lejen mjedisore dhe duket se ështe e vendosur për ta zhvilluar këtë projekt.

Procesi i konsultimit publik ngre gjithashtu pikëpyetje. Një dëgjesë e zhvilluar vitin e kaluar nga “Tamara Hydro Energy,” kishte vetëm 8 pjesëmarrës. Por për banorët, kjo nuk është një çështje abstrakte.

“Uji dhe mali janë gjithçka këtu,” na tha një banor i Vuklit, i cili na priti në shtëpinë e tij që e kishte kthyer në lokal dhe bujtinë. “Lumi dhe kjo klimë na mbajnë gjallë tokën, bagëtinë e tanimë edhe turistët.”

Sipas tij, problem kryesor për banorët mbeten rruga, mungesa e shërbimeve komunale për heqjen e mbeturinave dhe energjia elektrike.

“Nga rruga e keqe, s’vjen njeri t’i marrë mbeturinat, një pjesë e të cilave përfundojnë në lumë,” tha ai.

“S’duam gjë tjetër, të gjitha i bëjmë vetë, siç i kemi bërë ndër shekuj denbabaden,” theksoi më pas duke kujtuar me krenari periudhat e shkuara të zonës së Kelmendit dhe lidhjet e forta të komunitetit.

Projektet e tjera si “HEC Brojë”; “HEC Grabom” dhe “HEC Peshtan” mbeten në letër. Ato kanë lënë pas një seri lëvizjesh ortakërie të kompanisë “Seman Sunpower,” e cila deri në vitin 2017 njihej si “Hydro Valbona” dhe interesohej për zhvillim hidrocentralesh edhe në Valbonë.

Dy drejtime ekonomike

Në një zonë ku operojnë hidrocentrale dhe planifikohen të ndërtohen edhe të tjerë, paradoksi më i madh mbetet ndërprerja e energjisë elektrike.

Zyrtarisht, problemi lidhet me rrjetin e amortizuar. Por për banorët, realiteti është konkret, pamundësi shërbimi, biznese që mbyllen dhe turistë që largohen.

Sipas aktivistes së mjedisit, Besjana Guri, kjo ka krijuar një perceptim të rrezikshëm, sipas së cilit furnizimi i rregullt me energji për këto zona mund të sigurohet vetëm përmes ndërtimit të hidrocentraleve të reja.

Nuk ka të dhëna të drejtpërdrejta për një politikë të tillë, por balanca e investimeve, më shumë në prodhim sesa në shpërndarje, ngre dyshime mbi prioritetet.

Në terma ekonomikë, diferenca është e qartë, përmirësimi i rrjetit nuk gjeneron të ardhura direkte për operatorët privatë në të njëjtën mënyrë sa prodhimi i energjisë.

I njëjti model shfaqet edhe në infrastrukturë. Rruga prej 10 kilometrash, Tamarë-Vukël mbetet e papërfunduar, duke zhgënjyer banorët, disa prej të cilëve janë kthyer edhe nga emigrimi për të investuar në turizëm pas premtimeve se zona do kishte të njëjtin bum zhvillimi si Thethi.

Pas pandemisë, Kelmendi ka njohur vërtetë një rritje të konsiderueshme duke u shndërruar në një destinacion në rritje. Shtëpi pritëse, guida lokale dhe biznese të vogla janë shtuar. Uji i pastër i Cemit, shpellat, kanionet dhe ujëvarat janë kthyer në aset turistik. Por kjo ekonomi mbetet e brishtë.

Për një zonë që mbështetet kryesisht në bujqësi, blegtori dhe së fundmi në turizëm, një bum edhe hidrocentralesh rrezikon të dëmtojë atë.

Cemi është gjithashtu edhe një arterie ekologjike. Dhjetëra specie shpendësh dhe peshqish janë identifikuar përgjatë tij, përfshirë troftën e mermertë.

Në këtë pikë, sipas aktivistes mjedisore Besjana Guri, ndërhyrjet nuk prekin vetëm rrjedhën e ujit, por gjithë zinxhirin ekologjik. Ajo paralajmëroi se devijimi i ujit, sidomos në tuba nëntokësorë, fragmenton habitatet dhe ul kapacitetin e vetë-rigjenerimit të ekosistemit.

Por, Cemi vazhdon edhe drejt Malit të Zi, ku kanioni i tij është shpallur monument natyror. Kjo e ka bërë çështjen e hidrocentraleve një çështje ndërkufitare, ku gjatë viteve 2018-2019 ka pasur dhe protesta.

Si Mali Zi, edhe Shqipëria është pjesë e Konventës së Espoo-s, që kërkon vlerësim të ndikimit ndërkufitar. Megjithatë, për rastin e këtyre 10 hidrocentraleve mungon ende një analizë e plotë dhe e koordinuar.

Në thelb, rreziku në lumin e Cemit nuk është thjesht mes interesave për energji dhe atyre që duan ta mbrojnë natyrën, por për modelin e zhvillimit. Zhvillimi i përqendruar te interesat e kompanive të hidrocentraleve është afatshkurtër, krahasuar te zhvillimi i përqendruar te një shpërndarje të gjerë te komuniteti përreth.

Por, nëse lumi do të vazhdojë të devijohet, humbja nuk do të jetë vetëm ekologjike, ajo do të prekë drejtpërdrejt ekonominë lokale të Kelmendit, që sapo ka nisur të marrë frymë përmes turizmit./ citizens

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks