Ballina Analiza dhe Komente “Terminali i Shkodrës që mbeti në 3D” / “Premtimi i madh” i...

“Terminali i Shkodrës që mbeti në 3D” / “Premtimi i madh” i Benet Becit dhe institucioneve qëndrore, i kthyer në simbol të propagandës dhe dështimit!

Në 26 janar 2023, kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, publikonte me bujë në rrjetet sociale një video 3D të terminalit të ri të autobusëve, duke e prezantuar si një projekt që do t’i jepte Shkodrës një hyrje moderne dhe zgjidhje përfundimtare të transportit ndërqytetas. Në deklaratën e tij ai theksonte:

“Shkodra do jetë ndër qytetet e para me terminal publik për udhëtimet ndërqytetase e ndërkombëtare buzë bypassit të sapopërfunduar. Një tjetër projekt që konturon një hyrje dinjitoze për Shkodrën.”

Në të njëjtën periudhë, projekti u mbështet edhe nga deklarata publike të ish-kreut të Shërbimit të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe, si dhe nga deputetja e asaj kohe, sot zv/ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Edona Bilali, të cilët e paraqisnin terminalin si një investim të afërt dhe zgjidhje të shumëpritur për kaosin e transportit në Shkodër raporton newspower.al.

Sipas të dhënave të publikuara, në qytet operojnë 24 linja ndërqytetase të licencuara dhe rreth 3.4 milionë udhëtarë në vit përdorin këtë sistem transporti. Terminali i premtuar do të duhej të zhvendoste dhe organizonte gjithë këtë fluks jashtë qendrës së qytetit, duke i dhënë fund kaosit të përditshëm dhe duke përmirësuar ndjeshëm edhe transportin urban.

Por, më shumë se dy vite më pas, realiteti në terren është krejt tjetër sipas newspower.al. Asnjë hap konkret ndërtimi nuk është ndërmarrë. Projekti mbetet i kufizuar në rendera dhe deklarata publike, ndërsa qytetarët vazhdojnë të përballen çdo ditë me të njëjtin problem: autobusë ndërqytetas të parkuar në qendër të Shkodrës, trafik i rënduar dhe mungesë totale organizimi.

Në një moment kur vendi ndodhet rreth një vit larg zgjedhjeve vendore, ky rast shihet gjithnjë e më shumë nga qytetarët si një shembull tipik i premtimeve të pambajtura dhe i përdorimit të projekteve publike si instrument propagande politike, më shumë sesa si zgjidhje reale për problemet e qytetit.

Mungesa e një terminali funksional nuk është thjesht një projekt i vonuar, por një dështim i dukshëm i pushtetit vendor dhe i institucioneve qendrore për të adresuar një problematikë që prej vitesh rëndon jetën urbane të Shkodrës dhe imazhin e saj si qytet turistik. Në vend të zgjidhjes së premtuar, qyteti vazhdon të jetojë me të njëjtat kushte kaotike, ndërsa premtimi i vitit 2023 mbetet ende në fazën e fjalëve dhe imazheve 3D./newspower.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks