Rruga Bogë–Theth, një ndër veprat më të rëndësishme infrastrukturore të veriut të Shqipërisë, mbetet edhe sot simbol i lidhjes së Alpeve shqiptare me pjesën tjetër të vendit. E ndërtuar mes sfidash të mëdha të kohës, kjo rrugë hapi një perspektivë të re zhvillimi për zonën e Dukagjinit dhe bjeshkët shqiptare, duke i afruar ato më shumë me jetën ekonomike, tregtare dhe turistike të vendit.
Në tetor të vitit 1938, gjatë ceremonisë së inaugurimit të segmentit Okol–Theth, ministri i atëhershëm i Ekonomisë Kombëtare, Rrok Gera, vlerësoi rëndësinë strategjike të kësaj rruge për zhvillimin e veriut. Në fjalën e tij, ai theksoi se rruga do të ndikonte drejtpërdrejt në gjallërimin e tregtisë, nxitjen e turizmit malor dhe nxjerrjen nga izolimi të një prej krahinave më të bukura dhe më të veçanta të Shqipërisë.
Rrok Gera shprehu gjithashtu mirënjohje për punëtorët dhe institucionet që kontribuan në realizimin e kësaj vepre madhore, duke e konsideruar atë një investim me vlera të mëdha ekonomike dhe shoqërore për të ardhmen e zonës. Në ceremoninë e inaugurimit ishte i pranishëm edhe At Gjergj Fishta, i cili mbajti një fjalim përshëndetës, duke i dhënë ngjarjes një rëndësi të veçantë historike dhe kulturore.
Fjalimi i plotë i Ministrit të Ekonomisë Kombëtare, Rrok Gera (1938)
E pret kordelen Ministri i Ekonomisë Kombëtare z. Rrok Gera.
Zonja e Zotnij të ndershëm!
Në zavendsim të Shkëlqesisë së Tij Kryeministrit dhe zv.ministrit të Punëve Botore, jam i lumtun qi po më jepet rasa t’inauguroj këtë rrugë me randsi të Mbretnis.
Rruga Koplik-Bogë-Theth ka pas kenë fillue të ndërtohet para sa vitesh me anën e punëtorëve detyruesa të Botores. Suksesivisht këto punime përfituen nga ndihma financiare e huaja SVEA dhe në kohnat e fundit edhe prej nji shume tjetër të mirë, qi kje vue në dispozicion prej financimit të veçantë t’akorduem nga Italija.
Zhvillimi i përgjithshëm i kësaj rruge prej Koplikut e deri në Theth, asht 62 kilometra. Pjesa e kësaj rruge qi u përfundue ndër këto ditë dhe të cilën neve sot po e inaugurojmë, asht prej 27 kilometra prej Okollet të Bogës e deri në Theth. Bjeshkët shqiptare përshtaten në Qafën e Bonitares, fare afër kuotës 600. Kjo rrugë i jep gjallim tregtisë dhe kryesisht, turizmit të nji bukurije piktoreske dhe prej natyre madhështore, të cilat deri tani ishin t’izolueme.
Lugina e Shalës e pasun me ujna dhe me pyje të blerta, nuk ka për t’mungue, sikundër dhe ka ndodhë, me tërhjeke për Bogë njerëzinë për bjeshkim dhe sportizmë për ndërmale.
Veç kësaj, pjesa e rrugës Bogë-Theth nuk ka vetëm qëllim si rrugë më vedi, mbasi qi kjo duhet të vijojë kah Valbona dhe përtej, për të lidhun me rrugë moderne dhe të përshtatshme, krahinat e ndryshme t’Atdheut, qi deri tani ndodhen ende të ndara dhe të shkëputuna nga jeta shoqnore. Dhe në këtë mënyrë Shqipnia dita-ditës po shkon vazhdimisht dhe përherë e ma tepër drejt përparimit qytetnuer dhe ekonomik të sajin dhe të kryemit e rrugës Bogë-Theth, asht nji ndër faktet prej nji randsie jo ma të vogël nga rrugët e tjera.
Me këtë rasë u shprehim kënaqësinë tonë organeve drejtuese të Ministrisë së Punëve Botore, Zyrës së Punëve Botore të Shkodrës, e cila me kaq energji dhe interesim mundi t’i çojë punimet kah qëllimi përfundimtar si dhe Autoritetet Administrative, që me nji të njajtë vullnet, u përpoqën për qitjen dhe sigurimin e puntorëve. Simpathija e jonë mirënjohëse i vete edhe puntorëve shqiptarë, qi me kaq zell dhe durim të fortë, u përpoqën për të kryemit e kësaj vepre.
Në mënyrë krejt të veçantë, drejtojmë mejtimin tonë edhe kundrejt Sovranit t’onë August qi me nji largpamësi të habitshme dhe me nji dashtni të thellë, po i shpjen fatet e Atdheut drejt përparimeve përherë e ma të lulëzueme.
Shënim: Më pas, në këtë ceremoni mbajti nji fjalim edhe Patër Gjergj Fishta.
Gazeta “Drita”, 14 tetor, 1938.






