Prej dy netësh, qindra qytetarë të Shkodrës po përjetojnë orë të tëra shqetësimi dhe pagjumësie, ndërsa në qendër të qytetit ndotja akustike ka arritur nivele alarmante. Zhurma e pandërprerë e motorëve, që ushton deri në orët e vona të natës, ka kthyer jetën e banorëve në një situatë të papranueshme, ku qetësia dhe pushimi duket se nuk kanë më asnjë vlerë. Qindra familje që banojnë në zonën ku po zhvillohet aktiviteti janë detyruar të përballojnë këtë kaos, pa asnjë reagim serioz nga institucionet përgjegjëse. Banorët ankohen se askush nuk po merr në konsideratë nivelin e zhurmës, ndikimin tek fëmijët, të moshuarit apo personat me probleme shëndetësore, ndërsa organizatorët dhe mbështetësit e aktivitetit veprojnë sikur ligji të mos ekzistojë. Sipas qytetarëve, gjithçka po tolerohet për shkak të mbështetjes politike dhe interesave që lidhen me organizimin e këtyre festimeve. Ata akuzojnë kryebashkiakun Beci se po mbyll sytë përballë një situate që po rëndon çdo natë mbi jetën e banorëve të qytetit, pasi vetë është i përfshire në këtë aktivitet bashkë me familjarët e tij. Një skandal i tillë nuk mund të konsiderohet më thjesht “festë”. Ajo që duhej të ishte një aktivitet argëtues dhe promovues për qytetin, është kthyer në një burim stresi, lodhjeje dhe revolte për shumë qytetarë. Nga fëmijët që nuk arrijnë të flenë, te të moshuarit që përballen me shqetësime shëndetësore, pasojat e kësaj ndotjeje akustike po ndihen nga të gjitha grupmoshat. “Moto Fest” për shumë banorë nuk është më një festë, por një “Moto-Tmerr”, që po zhvillohet në kurriz të qetësisë dhe të drejtave të qytetarëve të Shkodrës.






