4 nismat e propozuara nga mazhoranca dhe opozita për hapjen e plotë të dosjeve ai si dhe ndalimin e kandidimit të personave që kanë qenë ish-bashkëpuntorë të sigurimit të shtetit, do të nisin zyrtarisht sesionin e ri parlamentar, këtë të hënë, ora 18:00.

Sipas axhendës, seanca e parë plenare pritet të jetë më tepër e natyrës teknike, ku ligjvënësit do të njihen për çështjet e depozituara në kuvend nga socialistët. Me anë të një projektligji, kërkohet dënimi i krimeve të së kaluarës duke vendosur në sitë të gjithë figurat publike pavarësisht nëse ata kanë një certifikatë të pastërtisë së figurës nga komisionet Mezini-Bezhani. Po ashtu kërkohet edhe ndërhyrja në Kodin Zgjedhor, në mënyrë që të gjithë ata politikanë që kanë pasur lidhje më ish-sigurimin e shtetit dhe strukturat e persekutimit komunist, të mos lejohen që të mbajnë apo të kandidojnë për poste publike. 

Në kalendar janë përfshirë edhe nismat e PD për dekomunistizimin, deklasifikim të dosjeve të ish-sigurimit të shtetit si dhe kthimin e burgjeve famëkeqe të Spaçit dhe Tepelenës në muze. Gjithçka pritet të vijojë në komisione përgjegjëse si dhe më pas në seancën plenare për t’i kaluar me votë në sesionin e ri parlamentar dhe politik.

Socialistët janë zotuar se në shtator do të bëhen përpjekje për të larguar nga parlamenti Sali Berishën, duke e cilësuar qëndrimin e këtij të fundit si  të papranueshëm, pasi një ish-sekretar partie nuk mund të jetë pjesë e këtij institucionin.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu